Haradinaj: Qeveria Kurti u zu në befasi në gjysmë të dimrit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj sot ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosmirëmbajtje të rrugëve në kohën kur reshjet e borës kanë vështirësuar trafikun rrugor.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se Qeveria Kurti është zënë në befasi në gjysmë të dimrit.

“Reshjet e borës sot e vështirësuan trafikun rrugor gati në të gjithë Kosovën, edhe pse kontratat e mirëmbajtjes dimërore janë në veprim (fuqi) tash e sa muaj. Janë po të njëjtat kontrata të cilave Ministria e Infrastrukturës u anuloi procesin e prokurimit me arsyetimin e gjoja uljes së shpenzimeve, përderisa ndryshimi i vetëm ishte kontrata nga trevjeçare në njëvjeçare. Ky është një mashtrim në emër të efikasitetit. Gjysma e dimrit dhe Qeverinë e zë në befasi!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Në anën tjeter,  mëngjesin e sotëm Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka informuar se sipas informatave që janë marrë nga terreni nga menaxherët e mirëmbajtjes të gjitha rrugët Nacionale dhe Regjionale si dhe Autoudhët, janë të qarkullueshme për të gjitha llojet e automjeteve.
Ministria ka kërkuar nga vozitësit që të respektojnë rregullat e vozitjes./21Media

 

Back to top button