Haradinaj sa ishte kryeministër: S’ka marrëveshje finale me njohje reciproke pa SHBA-të

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar pas marrëveshjes së sotme për dokumentet në hyrje-dalje mes Kosovës dhe Serbisë. AAK në faqen zyrtare ka shpërndarë një deklarata të Ramush Haradinajt në vitin 2018 në kohën sa ka qenë kryeministër.
“Finalja është një, është njohja reciproke e cila duhet të ndodhë. Kush e ka guximin, fuqinë apo ndonjë instrument le të ndihmojë. Kush nuk e ka, duhet t’i thotë Kosovës shko rrugës tënde, dhe kur e thotë këtë, atëherë shqiptarët në Ballkan duhet ta pyesin vetën se a mund të ecim kështu si jemi apo çfarë duhet të bëjmë. Pra duhet të vijë një ditë e të na thotë dikush vendosni për vete. Ky është një realitet që duhet ta kuptojmë, sepse kanë kaluar dy dekada, 20 vjet në Evropë dhe po na thonë po e vazhdojmë dialogun. Deri kur?. E kemi thënë secilën herë dhe vazhdojmë ta themi e të këmbëngulim se pa përfshirjen e ShBA-ve nuk do të ketë marrëveshje finale me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është bërë e ditur në reagim.
Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, sot ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja për dokumentet identifikuese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Borrell ka potencuar se Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre./21Media

Back to top button