Haradinaj-SBASHK-ut: Mos i dënoni fëmijët!

Haradinaj ka thënë se është joetike të mohohet e drejta e fëmijëve për shkollim

Pavarësisht ofertës së kreut të Qeverisë, Ramush Haradinajt, për rritje pagash, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, po ngul këmbë në grevë. Mbrëmë Haradinaj kishte bërë të ditur se do të ketë rritje rreth 20 milionë euro për pagat e mësimdhënësve, mirëpo nuk u gjet konsensus.

Sot, përmes një postimi në Facebook, i pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj edhe njëherë iu ka drejtuar grevistëve të arsimit me kërkesën të vazhdohet procesi mësimor. Haradinaj iu ka thënë mësimdhënësve të mos i dënojnë fëmijët dhe se kanë pagë të respektuar. Sipas Haradinajt, është e padrejtë dhe joetike që pas këtij vendimi të mohohet e drejta e fëmijëve për shkollim.

“Vendimi i Qeverisë për ngritje të pagave për punëtorët e arsimit erdhi pas një procesi serioz të shqyrtimit buxhetor nga Qeveria e vendit dhe u finalizua me pajtimin e plotë të të gjitha partive politike në komisionin parlamentar për administratë publike, qeverisje lokale dhe media. Është vendim, që sfidon seriozisht kapacitet buxhetore, por duke marrë parasyshë rëndësinë që ka arsimi për të gjithë, mori përkrahje të gjërë. Është e padrejtë dhe jo etike që pas këtij vendimi të mohohet e drejta e fëmijëve tanë për shkollim e aq më pak të ankohet ndonjë punëtor arsimi për pagë të ultë. Nuk është kohë pazaresh, por është koha që të fokusohemi në ngritje të cilësisë në arsim. Rritja e pagës është dinjitoze dhe pritjet racionale janë që edhe reflektimi të jetë dinjitoz. Mos i dënoni fëmijët tanë. Të nderuar punëtorë të arsimit – keni pagë të respektuar!”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkaq, në anën tjetër SBASHK-u, po realizon vizitat në institucione të ndryshme arsimore në nivel Kosove. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, sot ka vizituar Mitrovicën, komunë kjo që kishte bërë thirrje për fillim të mësimit. Gjatë vizitës në çerdhen ‘Gëzimi Ynë’, Jasharaj ka përsëritur qëndrimin e sindikalistëve mbi grevën.

“Nuk po kërkojmë aspak më shumë se të tjeret.. projektligji për paga është denigrues.. ose do të humbim ose do të fitojmë të gjithë… nga qerdhet deri tek niveli universitar duhet të jemi unik më shumë se kurrë dhe mos të lejojmë ndarjen nga askush. Kemi hyrë në një betejë ose do të fitojmë të gjithë ose do të humbim”, ka thënë Jasharaj.

SBASHK kishte njoftuar se do të tërhiqen nga greva vetëm nëse ngritet 30%, koeficienti i mësimdhënësve për paga./21Media

Back to top button