Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), për shkak të krizës globale të krijuara nga pandemia COVID-19, sot do të shënojë “online” hapjen e sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme, duke lënë kështu në kujtesë, të paktën këtë vit, mënyrën tradicionale të mbledhjes së liderëve nga e gjithë bota, në selinë e saj në New York.

Me këtë rast, shefja e diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stublla ka njoftuar se përkundër pamundësisë për të marrë pjesë në margjinat e këtij sesioni, Republika e Kosovës do të angazhohet që edhe përmes takimeve virtuale të thellojë avancimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetet e linjës së njëjtë politike brenda OKB-së.

“Edhe pse ende nuk është anëtare e kësaj organizate, Republika e Kosovës do të përkushtohet në avokimin e vlerave të përbashkëta të Kombeve të Bashkuara – zhvillimit të demokracisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social, me fokus te kriza globale shëndetësore”, ka thënë ajo.

Haradinaj-Stublla është shprehur se diplomacia e Kosovës do të shtyjë përpara agjendën e njohjeve dhe synimeve strategjike e obligimeve të tjera që rrjedhin nga marrëveshja e Washingtonit.

“Arritja e marrëveshjes për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë dhe gatishmëria e Kosovës për të lëvizur drejt marrëveshjes finale, që përfshinë njohjen reciproke brenda kufijve të 17 shkurtit 2008, si dhe lufta e vendosur përkrah aleatëve të koalicionit kundër DAESH, në luftën kundër terrorizimit ndërkombëtar, do të jenë synimet e delegacionit të Kosovës në takimet virtuale që do të kemi gjatë këtij sesion”, ka shtuar ajo.