Haradinaj-Stublla në Gjermani mori sinjale pozitive për liberalizim

 

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, është pritur në një takim zyrtar nga Matthias Lüttenberg, shef i Departamentit për Evropën Juglindore në zyrën e kancelares gjermane dhe Christiane Hullmann, shefe e Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.

Në takim sipas MPJD-së, Haradinaj Stublla ka marrë sinjale pozitive për liberalizimin e vizave për Kosovën, në kohën kur Gjermania kryeson presidencën e Këshillit Evropian.

Lidershipi i Gjermanisë si aleatja më e madhe e Kosovës në Evropë, veçanërisht tani kur kryeson Presidencën e Këshillit Evropian, është qenësor në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Fitova bindjen se ka sinjale pozitive në drejtim të një epilogu të suksesshëm të këtij procesi”, është shprehur Haradinaj- Stublla.

Ajo ka theksuar se në këtë takim është diskutuar edhe për dialogun Kosovë- Serbi, ku ka potencuar se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, është qëndrim unik i Republikës së Kosovës.

Shefja e diplomacisë kosovare ka thënë se Kosova beson në rolin vendimtar të Gjermanisë, dhe se rrëshqitja e dialogut në tema teknike është kundërproduktive.

Diskutuam edhe për dialogun Kosovë – Serbi, ku theksova se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, është qëndrim unik i Republikës së Kosovës. Rrëshqitja në dialog me tema teknike, dhe pa kornizë kohore, është kundërproduktive, dhe besojmë fuqishëm që Gjermania do të luaj rolin e saj vendimtar njësoj sikur në kohën kur rrëzoi idetë e rrezikshme të lëvizjes së kufijve në Ballkan”, ka thënë Haradinaj-Stublla./21Media

 

Back to top button