Haradinaj takon kongresmenin Ritchie Torres: Aleanca jonë me Amerikën është jetike

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vazhduar takimet me zyrtarë të lartë amerikanë në kuadër të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Haradinaj ka bërë të ditur se ka takuar sot kongresistin amerikan, mikun e madh të shqiptarëve, Ritchie Torres.
“Nder i veçantë të takohem me mikun e madh të shqiptarëve, kongresmenin z. Ritchie Torres, të cilit i shpreha mirënjohjen për përkrahjen e tij dhe mbështetjen e pazëvendësueshme që ShBA-të i kanë dhënë Kosovës në të gjitha periudhat”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se në takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve.
“Në takim shtrova nevojën për thellimin e bashkëpunimit strategjik në mes të dy vendeve në të gjitha sferat, atë të sigurisë, politikës së jashtme dhe shkëmbimit ekonomik. Po ashtu, ftova Kongresmenin Torres në Kosovë për vizitë”, ka shtuar Haradinaj.
Ai ka shtuar se Kosova është më e fortë kur ka miq në Amerikë të cilët asnjëherë nuk e lënë të vetme.
“Aleanca e jonë me Ameriken është jetike dhe duhet të trajtohet si e tillë. Kosova është më e fortë kur ka miq në Amerikë të cilët asnjëherë nuk e lënë të vetme, në situatat me të cilat ballafaqohet”, ka përfunduar Haradinaj.

Back to top button