Qeveria e mban të fshehtë vlerën e koeficientit të pagës

Megjithëse premtoi ta publikonte vlerën e koeficientit të pagave deri në fund të muajit janar, Qeveria e Kosovës ende po e mbanë të fshehtë atë. Kuvendi i Kosovës miratoi kohë më parë Ligjin për pagat në sektorin publik duke mos e përcaktuar vlerën e koeficientit të pagës. Partitë në opozitë e kanë akuzuar Qeverinë se, siç tha, po e mashtron gjithë sektorin publik. Sindikatat thonë se vlera e koeficientit duhet të jetë më e lartë se 120 euro.
Pavarësisht deklaratës së Kryeministrit Kurti se vlera e koeficientit të pagës do të përcaktohet brenda muajit janar, kjo megjithatë as në ditën e fundit të muajit nuk u bë.
Mos përcaktimi i vlerës së koeficientit të pagës për opozitën paraqet një papjekuri të qeverisë. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besjan Mustafa, thotë se vlera e koeficientit duhet të bëhet sa më shpejtë publike, sepse, sic thotë ai, mos publikimi i këtij koeficienti i vështirëson edhe më shumë jetesën e punëtorëve të sektorit publik por edhe atij privat.
“Qeveria duhet të kujdeset që paga më e ulët në sektorin publik nuk guxon të jetë rrogën minimale që ka caktuar kjo qeveri që matematikisht i bije të jetë të paktën 132 euro koeficienti bazë, sepse nëse tabelën e pagave në këtë ligj rroga më e ulët është me koeficient 2″, tha Mustafa.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, thotë se qeveria, deri më tani do të duhej ta sillte plotësim ndyshimin e ligjit për buxhetin që të përcaktohet vlera e koeficientit.
“Sot jemi në ditën e fundit të muajit janar, dhe nuk është sjellë akoma as në agjendën legjislative të dy ditëve të ardhshme të seancave të kuvendit. Është një presion, është mashtrim që u ka ndodh të punësuarve në sektorin publik. Do të duhej që të përcaktohej vlera dhe do të duhej që të rritet paga minimale”, tha Haxhiu.
Kryetar i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, thotë se koeficienti i Ligjit për paga duhet të jetë të paktën 120, pasi, siç tha ai, mbijetesa është thuajse e pamundur me pagën aktuale.
“T’ju them të vërtetën ne ishim gëzuar shumë kur ligji më në fund shkoi në parlament dhe u aprovua. Vlerën e koeficientit e përmendi edhe zonja Kusari – Lila duke premutar që do ta kemi koeficientin gjë e cila nuk ndodhi ngase sot është dita e fundit e janarit”, tha Jasharaj.
Për ish-zëvendësministrin e Punëve dhe të Mirëqenies Sociale, Besart Dreshaj, koeficienti duhet të bëhet i ditur sa më shpejtë, pasi që, siç tha ai, qytetarët veçse kanë filluar të ikin nga vendi.
“Qeveria nuk ka marrë asnjë masë sa i përket rritjes së pagës në sektorin publik e nuk diskutohet fare që kjo ndikon edhe në sektorin privat. Qeveria duhet të bëjë një rritje të koeficientit në 135 euro sepse gjendja është e tillë dhe nëse kemi një koeficient me pagë të vogël se 135 i bie se qeveria fare nuk ka bërë rritje të pagës”, tha Dreshaj.
Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, thotë se nëse vazhdon kjo vonesë e qeverisë, atëherë, siç tha ai, ekziston mundësia që të ketë një valë të ikjeve nga vendi të qytetarëve.
“Vlerësoj se qeveria është duke i dhënë kohë vetës që pak a shumë ta merr opinionin e qytetarit. Ky do të jetë një hap që a do të qëndrojë qytetari i Kosvoës në vend apo jo. Por sic po shihet deri me tani qeveria nuk ka disponim që të ketë një koeficient të favorshëm për pagën në Kosovë”, tha Kadrijaj.
Ligji për Pagat është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar në Kuvendin e Kosovës, por pa e bërë publik koeficientin e këtij ligji. Ky ligj zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i Kosovës./21Media

Back to top button