Haradinaj thotë se meritat e Qeverisë Kurti për Parkun e Erës janë zero
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria aktuale ka zero merita për projektin e parkut të ri të erës “Selac Windpark”.
Haradinaj ka thënë se “sikur ky kryeministër e kjo qeveri të mos e kishin kundërshtuar projektin e termocentralit të ri me Countur Global, apo projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë, sot do të mund t’u gëzoheshim edhe dy sukseseve të jashtëzakonshme në fushën e energjisë, e nuk do t’i vuanim pasojat e mungesës së energjisë e çmimeve stratosferike”.
Sipas tij, Qeveria duhet të marrë shembull nga Parku i Erës në Mitrovicë, se si nisen e kryhen punët e interesit strategjik për vendin, e pse jo t’i thoshte disa fjalë të mira edhe për Qeverinë Haradinaj, që kishte vizion të qartë se si zgjidhej situata elektro-energjetike në vend.
“Sidoqoftë ky është sukses i Kosovës, e cila ka nevojë urgjente që t’i shtyjë edhe projektet tjera në fushën e energjisë, që sot janë ndalur nga Kryeministri Kurti”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Kurti dhe ministrja e Punëve së Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, inauguruan sot parkun e ri të erës “Selac Windpark” në fshatrat Selac dhe Bajgorë të Mitrovicës.