Si arriti aktori Zelensky të bëhet president dhe çfarë lideri është ai?

 
Volodimir Zelensky, presidenti i Ukrainës – sikur shpeshherë shihet në takime me trupat ushtarake.
Ky lider ukrainas është shndërruar në një hero në luftën në mes të vendit të tij dhe forcave pushtuese ruse, duke refuzuar ta braktisë kryeqytetin edhe kur raketat e armikut bien si shiu.
“Unë qëndroj këtu, në Kiev, në rrugën Bankova. Unë nuk strukem dhe nuk kam frikë nga ndokush. Unë do të qëndroj këtu për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për ta fituar luftën tonë patriotike” – ka thënë Zelensky në një nga paraqitjet e tij të para që nga invadimi rus.
Por, si ishte ngritja e tij në pushtet?! Si u bë President?
Në fakt, ka qenë një avansim i pazakontë drejt pozitës më të fuqishme të Ukrainës!
Zellenski që ndoqi studimet për jurist, u bë aktor dhe komedian i famshëm në vendin e tij. Ai luajti në filma e seriale televizive që nga viti 2006. Zellenski, me gjasë e ka filluar herët fushatën për t’u zgjedhur President, sepse, sic thonë disa, me pak humor, “ai u bë president, para se të bëhet president”.
Në serialin televiziv ukrainas “Shërbëtorë të popullit”, Zellenski luajti rolin e një mësuesi, i cili pasi u ngop me politikanët e korruptuar, fillon rrugëtimin politik dhe thuajse aksidentalisht përfundon në postin e presidentit të shtetit. Seriali “Shërbëtorë të popullit” që u transmetua nga 2015-ta deri më 2019, ka marrë vlerësime të konsiderueshme, disa cmime në Ukrainë, por edhe një nominim në kategorinë komedia më e mirë, në Festivalin e Dramës në Seul të Koresë Jugore. Seriali komedi që në rolin kryesor shfaq Zelenskyn, rrëfen për një president i cili synon të bëjë jetë të thjeshtë pa ‘privilegjet presidenciale’ e të luftojë deri në fund të korruptuarit dhe oligarkët.
Si duket, Zellenski është talenti i shumëfishtë. Përpara se të bëhej aktor, ai ishte valltar. Vollodimir Zellenskij, ditëve të sotme është shndërruar në një yll viral të mediave sociale, në të cilat po publikohen video të shumta të tij kur merr pjesë në konkursin e vallëzimit “Dancing ëith the Stars”. Në pjesëmarrjen e tij në këtë garë, Zellenski ishte dëshmuar dhe vlerësuar si valltar i jashtëzakonshëm, madje ishte shpallur fitues i edicionit të 2006-tës të garës së vallëzimit “Dancing with the Stars” në Ukrainë.
Kur Volodimir Zelensky filloi të konsideronte një karrierë politike, dukej thuajse jeta reale po e imiton artin kinematografik.
Shumë njohës të çështjeve politike vlerësojnë se Revolucioni Maidan, ose i njohur si Revolucioni për Dinjitet që u zhvillua në Ukrainë në shkurtin e vitit 2014, është pika e kthesës që e bindi Zelenskyn t’i futet politikës. Ky revolucion, që u karakterizua me përplasje të ashpra, madje vdekjeprurëse, ndërmjet protestuesve dhe forcave të sigurisë në Kiev, kulminoi me rrëzimin e qeverisë ukrainase dhe largimin e presidentit të atëhershëm, Viktor Janukoviq.
Profesori universitar në Universitetin e Cambridge studiuesi për çështje ukrainase, Doktor Rori Finin, thotë se pikërisht ky moment ishte vendimtar për Zelensky ai thotë: “Pikëpamjet e tij për politikën ndryshojnë kur ukrainasit shfaqen të gatshëm për të dhënë jetën në përpjekjet kundër ish-presidentit Janukoviq, i cili e la vendin e tij për Federatën Ruse më 2014. Ky është moment i rëndësishëm për të gjithë popullin e Ukrainës, e ai nuk përbën përjashtim”. Më tej, Profesori Rori Finin merr shembull vitin 2015, kur Zelensky ishte ende në sferën e shoubiznesit, thotë se ai performoi për trupat ukrainase në linjën e kontaktit në mes të Ukrainës dhe pjesëve të Ukrainës që mbaheshin të okupuara nga Rusia, në të njohura si Donbas. Madje Zelensky dhuroi para për trupat ushtarake, ai synoi ngritjen e moralit ushtarak atje – thotë studiuesi.
2019-ta është viti kur Volodimir Zelensky arrin pikërisht atë që kishte paraqitur përmes serialit komedi “Shërbëtorë të popullit”, ai merr detyrën si president i Ukrainës, pasi fitoi bindshëm zgjedhjet kundër një kandidati që njihet si biznesmen miliarder.
Vollodimir Zellenskij, është i lindur më 25 janar 1978 në Krivji Rih të Ukrainës, që atëkohë ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Është martuar me shoqen e tij të shkollës, Ollena Kijashko, me të cilën ka dy fëmijë, Olleksandrën dhe Kirillon. Gjuha e parë e Zellenskit është rusishtja, por ai flet rrjedhshëm edhe gjuhën ukrainase dhe anglishten.
Të dy prindërit e Zellenskit janë hebrenj. Babai i tij, Olleksandër Zellenskij, ishte profesor universitar dhe prijës i Departamentit të Kibernetikës dhe Hardverit, ndërkaq nëna e tij, Rima Zellenska, ishte inxhiniere. Gjyshi i Zellenskit, Simon Zellenski, ka qenë pjesë e kalorësisë, në gradën e kolonelit, në kuadër të Ushtrisë së Kuqe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Nga mediat thuhet se, në takimin që Vollodimir Zellenskij ka zhvilluar me kryeministrin e e Izraelit, Benjamin Netanjahun, Zellenski ka rrëfyer historinë e gjyshit të tij, ka treguar se gjyshi i tij ishte i vetmi i familjes së tij që ka mbijetuar Holokaustin. Të tre vëllezërit e tij dhe pjesëtarë të tjerë të familjes, janë vrarë nga forcat okupuese naziste në Ukrainë.
Gazeta “Times of Izrael” e ka quajtur Vollodimir Zelenskyn, mbrojtësi hebre i demokracisë ukrainase. Ndërkaq, sikur ka shkruar revista amerikane “The Atlantic”, Zellenski ka pushtuar vëmendjen botërore, duke i dhënë globit tonë një hero hebre.
Guximi i Vollodimir Zellenskit për të qëndruar fuqishëm në mbrojtje të sovranitetit të Ukrainës, mesiguri se, nuk është pritur nga një njeri, për të cilin shumë kanë thënë se përgjegjësia më e madhe politike e tij për vite të tëra ishte ndjenja se ishte tepër i prirur për të kërkuara dhe për të bërë kompromise me Moskën.
Zellenski kishte garuar për President, ndër të tjera, me premtimin se ai mund të negocionte paqen me Rusinë, e cila paraprakisht kishte pushtuar Krimenë dhe kishte marrë nën vete rajonet seperatiste pro-ruse të Ukrainës, në një konflikt të ngrirë që përllogaritet se kishte marrë jetët e rreth 15 mijë personave.
Ndonëse në fillim të përplasjeve me Rusinë, Zelensky menaxhoi një shkëmbim të burgosurish, përpjekjet për pajtim dështuan pasi këmbëngulja e Putinit që Ukraina të largohej nga Perëndimi u bë gjithnjë e më intensive, përderisa Moska e pasqyronte qeverinë e Kievit si një çerdhe të ekstremizmi të drejtuar nga Uashingtoni.
Sido që të jetë, pushtimi rus e katapultoi presidentin Zelensky drejt njohjes ndërkombëtare dhe tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare te veçantitë e tij të fuqishme si lider.
“Ne nuk dëshirojmë që të romantizojmë ndonjë figurë politike, por në të njëjtën kohë, ne duhet të përgëzojmë një lidership të guximshëm, të qartë, parimor sa herë që e shohim, sepse ndonjëherë duket se ka mungesë dhe Zelensky është duke e mishëruar atë udhëheqje. Dhe unë mendoj se ai do të thoshte se ai me të vërtetë e merr atë guxim nga populli ukrainas, sepse ne po shohim këto skena emocionuese në nivelin njerëzor, në nivelin e ushtrisë, të një mbrojtjeje energjike të vendit të tyre demokratik kundër këtij brutalitetit agresiv të regjimit autoritativ të Moskës” – shprehet studiuesi për cështje ukrainase, Doktor Rori Finin, nga Universiteti i Cambridge.
Me kurajon, humorin e mirë dhe hirin nën zjarrin që ka ngritur në këmbë popullin e tij, Zellenski ka arritur të krijojë përshtypje të mirë ndër homologët e tij perëndimorë. Ish-aktori, komediani me flokë të errët, 44-vjeçari Zelensky ka qëndruar në këmbë, edhe pse thotë se është shënjestruar në shpinë nga rusët pushtues.
Qëndresa e jashtëzakonshme e gjithë popullit ukrainas kundër agresorit rus, padyshim që ka nxitur shpresë, se demokracia do të ngadhënjejë. Dhe, natyrshëm, situatat e tilla nxjerrin liderë që tejkalojnë kombin e tyre.
Pasi Presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky, iu drejtua parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, ai u krahasua me liderin e Luftës së Dytë Botërore, Uinston Çërçillin. Zelensky tha: “Ne nuk do të dorëzohemi dhe nuk do të humbasim. Do të luftojmë deri në fund, në det e në ajër. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për tokën tone, pavarësisht çmimit. Do të luftojmë në pyje, në fusha, në brigje e në rrugë”./21Media

Back to top button