Haradinaj: Vazhdon kërkesa për heqjen e taksës

Haradinaj deklarohet pas takimit me Kosnettin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas takimit me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, ka bërë homazhe te shtatorja e strategut Zahir Pajaziti.

Pas homazheve Haradinaj ka folur edhe për takimin, ai  ka thënë se është një kërkesë e vazhdueshme që taksa të hiqet, për të vazhduar dialogun. Megjithatë, Haradinaj ka ritheksuar se taksa është vendim i Qeverisë, është sovran dhe ka thënë se nuk duhet të përzihen temat.

“Na kërkohet që me ja jap shancën dialogut na kërkohet edhe prej ambasadorit amerikan, i dëgjojmë me kujdes këto mendime, dëshira ime është me pa dialogun tu vazhdu, po nuk e kuptoj pse ndërlidhet dialogu me një temë që është e Kosovës”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit.

Ndër tjerash Haradinaj ka thënë se është pro marrëveshjes me Serbinë, por duke mos u cënuar territori i Republikës së Kosovës.

“Me rëndësia Kosova të mbetet në këmbë. Unë jam i interesuar për një marrëveshje me Serbinë për njohje reciproke obligative për të dyja vendet. Kuptohet pa çmimin e territorit dhe Zajednicës. Jam për marrëveshje por s’mund të kthehemi para shkurtit 2008. Vendim i Qeverisë është vendim sovran. Pra ne nuk e kushtëzojmë dialogun me ndonjë vendim të qeverisë së Serbisë,  është vendim i brendshëm,  jam për kthimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje.”, ka thënë Haradinaj.

Krerët e shtetit janë takuar sot me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, i cili ka dalë më herët nga takimi.

Ndërkaq mbrëmë janë takuar edhe krerët e koalicionit qeveritar. Qeveria përmes një kumtese ka pohuar se koalicioni është stabil dhe funksional./21Media

Back to top button