Qeveria përmes një komunikate tregon çka u diskutua në takimin e liderëve

Pajtueshmëri rreth Platformës së Dialogut

Koalicioni qeverisës është stabil, kështu është bërë e ditur në një komunikatë për media pas takimit të liderëve të koalicionit qeverisës.

“Është vlerësim i përbashkët se koalicioni është funksional dhe stabil. Do të vazhdohet me përkushtim në arritjen e qëllimeve në përputhje me objektivat programore qeverisëse.”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur temat që janë diskutar në këtë takim, të cilat ishin aprovimi i Buxhetit 2019, dialogu me Serbinë.

“Në takimin e sotëm të liderëve të partive të koalicionit qeverisës, u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, për funksionimin e institucioneve, përmbushjen e agjendës qeverisëse dhe legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e Buxhetit 2019, pakon e ligjeve përcjellëse, platformën e dialogut dhe çështjen e taksës.”, bëhet e ditur në komunikatë.

Po ashtu thuhet se partnerët e koalicionit janë dakorduar që ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes për sa u takon temave të sipërpërmendura.

U bë e ditur se kanë një pozicion të përbashkët sa i përket platëformës së dialogut e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvend.

“Gjatë takimit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës.
Platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e Obligueshme, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Po ashtu, liderët e koalicionit u zotuan për intensifikimin e hapave dhe bashkërendimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-në, bëhet e ditur në komunikatë.

Në komunikatën e Qeverisë së Kosovës thuhet se gjatë takimit të liderëve është folur për taksën, por nuk është treguar se çfarë është diskutar konkretisht, burime të RTV 21 brenda të qeverisë kanë bërë të ditur se Kryeministri Haradinaj nuk ka hequr dorë nga taksa. /21Media

Back to top button