Hasani: Vitin e ardhshëm do të japim grante për bizneset

MTI do ta ushtrojë ndikimin dhe do t’i marrë të gjitha masat për mbrojtje të prodhuesve vendor

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe KIESA kanë mbajtur konferencë informuese për zhvillimin e sektorit privat me bizneset në komunën e Ferizajt, në kuadër të “Ditëve të Biznesit të vogël”.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha se janë në Ferizaj për t’i kuptuar hallet dhe kërkesat që i hasin bizneset në punë.

“MTI në ato kompetenca do ta ushtrojë ndikimin dhe do t’i marrë të gjitha masat për mbrojtje të prodhuesve vendor”

Ai tha se dje kanë nënshkruar një memorandum në mes të Ministrive, pasi që sipas Hasanit ka lindur  nevoja për atë nënshkrim prej bizneseve, pasi që siç tha “bizneset kanë nevojë për kuadro”.

Ministri  Hasani tha se edhe MTI është e  interesuar edhe pse nuk ka buxhet, që nga viti 2018 të japin grante për mbështetje të bizneseve.

“Kemi si plan qeverisës që të kemi zonat ekonomike, kërkoj nga kryetari që ta caktojë një lokacion pasi që ne si MTI jemi të interesuar të investojmë në këtë zonë”, tha Hasani.

Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu,  tha se programi i tij qeverisës është platformë qeverisëse, dhe platforma qeverisëse do të jetë mbështetësve për bizneset.

“Ferizaj është kryeqyteti i zhvillimit ekonomik dhe platforma ime do të jetë në këtë drejtim që edhe më shumë të zhvillohen bizneset. Komuna e Ferizajt do të jetë mbështetëse përmes subvencioneve. Do të jemi mbështetës në krijimin e kushteve më të mira ekzistuese, por edhe në krijimin zonave ekonomike e të rejave”, tha Aliu.

Back to top button