”Hashtag” fitoi çmimin e filmit më të mirë të shkurtër në Sydney

Filmi ”Hashtag”, me regji nga Lorena Sopi ka fituar çmimin e filmit më të mirë të shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Wonderland në Sydney, Australi.
Për të folur në lidhje me këtë sukses sot në emisionin ”Për ditë të mbarë”, ka qenë e ftuar regjisorja e cila ka treguar se në film trajtohet tema aktuale, pra lidhja me rrjetet sociale dhe kalimi i shumicës së kohës në celular.

Tutje regjisorja ka shtuar se një ditë i kishte ndodhur që të rrinte pa telefon dhe e kishte e kishte parë që të gjithë ishin të fokusuar te gjërat e reja dhe askush nuk fliste me askënd, prandaj kjo e ka qenë frymëzim për Lorenën.

E sigurisht që realizimi i një filmi kërkon edhe mjete monetare për financim, e një mbështetje të tillë nuk e ka pasur Lorena.

Zana dhe Tina, dy vajza të reja, janë studente universiteti dhe ndajnë dhomën e ndenjes së bashku. Ata janë të lidhur me rrjetet sociale dhe kalojnë shumicën e kohës të lidhur me një celular. Zana bën edhe fotosesione të veçanta për të krijuar jetën virtuale që kërkon me dëshpërim. Edhe njerëzit me të cilët ajo është e lidhur dhe që ajo beson se janë të rëndësishëm, të pasur dhe të suksesshëm, në realitet janë gjithashtu njerëz fiktive dhe inekzistente.
Madje Zana organizon seanca mësimore se si të krijoni një imazh virtual të një personi. Ajo e nënshtron Tinën dhe e tërheq në botën e saj. Tina është në dilemë. Ndonëse mundohet ta ndjekë Zanën, ajo mundohet të mësojë dhe të marrë njohuri edhe në fushën e shkencës që studion.
Kur fantazitë e Zanës për jetën virtuale dhe rrjetet sociale i kalojnë kufijtë, Tina e kundërshton duke i lënë të kuptojë se është aty për të mësuar dhe për t’u bërë dikush me dije. Ajo paralajmëron Zanën se me mënyrën e të menduarit nuk do të mund të vazhdojnë dot bashkë. Hendeku mes dy miqve thellohet edhe më shumë kur Tina bie nga provimi dhe kërcënon Zanën se rrugët e tyre përfundimisht do të ndahen. Zana vazhdon të krijojë personalitetin e saj fallco dhe të ëndërrojë që jeta e saj virtuale një ditë të bëhet realitet.
Madje ajo bën një lidhje serioze me një person të tillë imagjinar. Por kur takon ‘personin e ëndrrave’ zhgënjehet pasi kupton që ai person është një plak të cilin e ka punësuar si fotograf për fotosesionet e saj. Zana, e dëshpëruar, kthehet në banesë dhe vendos të kthejë jetën e saj. Ajo vazhdon të pikturojë autoportretin e saj që mbeti i papërfunduar.
Personazhet kryesore në këtë film janë: Vjosa Tasholli, Blerta Gubetini dhe Bislim Muçaj./21Media

Back to top button