Haxhiu e quan skandaloz vendimin e Gjykatës për vrasjen e Agonis Tetajt

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka quajtur skandaloz e të padrejtë vendimin e Gjykatës së Pejës për vrasjen e Agonis Tetajt.

“Një djalë i ri, në një ditë normale e në vendin e tij të punës, vritet tragjikisht. Procesi gjyqësor ndaj personit të dyshuar është zhvilluar me shumë probleme dhe është karakterizuar me shumë çështje që e kanë penguar një proces të drejtë dhe efikas.Si ministre e Drejtësisë nuk kam mandat e as intencë për të ndërhyrë në asnjë rast gjyqësor, mirëpo është e domosdoshme të theksohet se sikur opinioni publik, jam e shqetësuar me mënyrën e administrimit të këtij procesi, përfshirë këtu edhe shkallën e dënimit me aktgjykimin e sotëm. Është vendim i padrejtë e skandaloz!”, u shpreh Haxhiu.

Gjykata e Pejës e ka bërë rikualifikimin e veprës penale, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia. Gogaj me 5 vjet burgim është dënuar për vrasje nga pakujdesia dhe 3 vjet burgim për armëmbajtje pa leje.

Haxhiu tha se shteti ka nevojë për Prokurorë që të ndershëm e profesionistë, dhe gjyqtarë që marrin vendime në përputhje me faktet.

Ministrja tha se “aktgjykimi i sotëm mund të jetë gjithçka tjetër, vetëm drejtësi jo”.

“Shteti i së drejtës kërkon vendosmëri të personave që ushtrojnë detyrën zyrtare në organet që janë bartëse të sistemit të drejtësisë. Pra, kemi nevojë për prokurorë të ndershëm e profesionistë që me precizitet hetojnë rastet dhe po ashtu gjyqtarë që marrin vendime brenda suazave të ligjshmërisë dhe në përputhje me provat e faktueshme të rastit. Në këtë drejtim, bëj thirrje që të merren në konsideratë të gjitha rrugët ligjore për rastin e vrasjes së të ndjerit, Agonis Tetaj, në mënyrë që të vendoset ligjshmëria e plotë dhe të jepen vendime meritore. Aktgjykimi i sotëm mund të jetë gjithçka tjetër vetëm drejtësi jo!”, përfundon reagimi i Haxhiut./21Media

Artikuj të ngjashëm

Shikoni Gjithashtu
Close
Back to top button
close button