Haxhiu fton Prokurorin e Shtetit të hetojë “kurdisjen e çmimeve”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka ftuar Prokurorin e Shtetit që të ndërmarrë veprime të menjëhershme siç tha ajo kundër, abuzuesve që po përfitojnë paligjshëm dhe po dëmtojnë qytetarët e Kosovës.
Haxhiu këtë kërkesë e ka bërë pas rritjes së vazhdueshme të çmimeve të disa prej produkteve esenciale. “Ftoj Prokurorin e Shtetit, që bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore të përcaktuara, të ndërmarrë menjëherë veprime në përputhje me mandatin e tij, kundër abuzuesve që po përfitojnë paligjshëm që me veprimet e tyre po dëmtojnë qytetarët e vendit tonë”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se kurdisja e çmimeve është vepër penale duke theksuar se është e dënueshme me burg si dhe dënim shtesë me gjobë. “Një kurdisje dhe orkestrim të të cilit po jemi dëshmitarë, është vepër penale e sansksionuar në mënyrë të dyfishtë, me burgim (1-5 vite) si dhe dënim shtesë me gjobë, bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë tutje ajo.
Sot rreth kësaj çështje është deklaruar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se çmimi prej 3.49 euro për një litër vaj, nuk është i rastësishëm. “Nuk është e rastësishme kjo përputhje anë e mbanë Kosovës, e cila është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorëve të Kosovës. Nuk ka kurrfarë arsye apo nevoje për një fryrje të tillë. Aktualisht çmimi i vajit ushqimor në Kosovë është më i larti në botë”, ka thënë kryeministri, duke shtuar se “këto çmime të fryera duhet të shfryhen”.
Sipas tij, çmimet e fryera bëhen prej faktorit njeri, e jo gjendjes në terren. “Nuk ka vend për këtë lloj paniku, i cili është përhapur. Pra çmimi prej 3.49 euro është artificial, i paarsyeshëm dhe ka të bëjë me njerëzit të cilët dëshirojnë të përfitojnë nga një krizë botërore, e jo nga gjendja reale në vendin tonë”, ka thënë Kurti.
Përveç çmimit të vajit, në tregun e Kosovës ditëve të fundit është ngritur edhe çmimi i bukës, miellit, derivateve të naftës./21Media 

Back to top button