Haxhiu: Komisioni i Venecias rekomandon zhvillimin e procesit të Vetingut për nivelet e larta në sistemin e drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë raportimit në Komisionin Ad-Hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar tha se zhvillimi i sistemit të Vetingut ne sistem të drejtësisë ka qenë prioritet.
Haxhiu tha se kanë kërkuar ta kenë një opinion nga Komisioni i Venecias i cili edhe ka dhënë rekomandimet e veta.
“Komisioni i Venecias rekomandon zhvillimin e procesit të vetingut për nivelet e larta në drejtësi përmes një mekanizmi të jashtëm ndërsa sugjeron forcimin e mekanizmave ekzistues disiplinor dhe të performancës përmes ndryshimeve adekuate ligjore. Komisioni i Venecias rekomandon ndërmarrjen e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e një mekanizmi të veçantë dhe me karakter të përkohshëm për kontrollin e integritetit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës po ashtu edhe kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha se si qeveri janë pajtuar me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Sipas saj, edhe pse rekomandimet nuk janë obligative, në një fazë që është Kosova nuk është mirë që mos të zbatohen.
Ministrja tha se e kanë takuar edhe opozitën dhe se takimet kanë qenë konsultuese. Ajo shtoi se hartimin e legjislacionit të vetingut si proces e kanë bartur në Kuvend pasi ka qenë edhe kërkesë e opozitës që ta sjellin në Kuvend nëse duan mbështetje.
Rashit Qalaj anëtar i komisionit nga PDK tha se procesi i vetingut është proces i rëndësishëm për vendin.“Vetingu duhet të përfshihet edhe në sektorin e sigurisë sepse nuk është i mjaftueshëm vetëm në sistemin e drejtësisë” – shtoi Qalaj.
Haxhiu tha se vetingu në institucionet e sigurisë është më e lehtë proceduralisht.
“MPB ka formu grupin punues po punon në koncept dokument por pse nuk kanë qenë në të njëjtën linjë me Ministrinë e Drejtësisë, është edhe për shkak të rrethanave dhe situatës më veri”, tha ajo.
Haxhiu shtoi se vetingu në institucionet e sigurisë është më i lehtë pasi nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese sikurse në sistemin e vetingut në sistemin e drejtësisë.
Doarsa Kica kërkoi të dijë se a kanë dhënë shkaqe shtesë Komisioni i Venecias që në Kosovë nuk duhet të lejohet vetingu gjithëpërfshirës.
“Dhe a ka fillu të punoj qeveria t’i siguroj votat e domosdoshme për kalimin e amandamenteve”, tha ajo.
Haxhiu tha se kanë bërë përpjekje maksimale të shtyhet përpara rekomandimi i qeverisë për sistemin e drejtësisë./kallxo

Back to top button