Haxhiu: KQZ-ja dhe institucionet e sigurisë të vlerësojnë situatën për zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror Zgjedhor dhe institucionet e sigurisë në Kosovë duhet të vlerësojnë situatën për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore me 23 prill. Kështu deklaroi sot ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën për medie, pas mbledhjes së qeverisë.

“Ne si qeveri i bindemi kërkesave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë drejtim, çfarëdo kërkese që ka për qeverinë KQZ-ja, ne obligohemi t’ia mundësojmë atë. Është përgjegjësi e KQZ-së në bashkëpunim me institucionet e sigurisë që të vlerësojnë situatën dhe të vendosin. Në momentin kur do të kemi informacione të tilla ta zëmë sikur zgjedhjet nuk do të duheshin të mbaheshin, atëherë sigurisht që do të japim qëndrimin tonë, përndryshe ne i bindemi kërkesave të KQZ-së”, u shpreh ajo.

E pyetur për incidentin e fundit në veri, ku u plagos një qytetar serb, ajo tha se është bërë punë e jashtëzakonshme për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e këtij incidenti.

“Është bërë një punë e jashtëzakonshme për të zbuluar shkaqet apo të gjitha rrethanat me plagosjen e qytetarit serb. Siç jeni në dijeni Policia e Kosovës është më kredibilija në rajon dhe gjatë kësaj kohe ka pasur një përpjekje maksimale për të luftuar kriminalitetin në atë pjesë të vendit tonë dhe sigurisht për të ofruar mbrojtje dhe siguri për qytetarët tanë, pavarësisht etnisë apo nacionalitetit”, tha Haxhiu.

Krahas kësaj, ministrja Haxhiu u pyet edhe për procesin gjyqësor në Hagë, ndaj ish krerëve të UÇK-së, ku tha se pret që ata të dalin fitimtar nga ky proces, por shtoi se bartësit e institucioneve duhet të jenë të kujdesshëm dhe vetëpërmbajtur në deklarimet publike, pasi nuk iu ndihmojnë të akuzuarve.

“Tani që gjykimi ka nisur, unë mendoj se të gjithë, por sidomos institucionet duhet të jemi të kujdesshëm, por edhe të vetëpërmbajtur në deklarimet tona publike, pasi nuk mendoj se i ndihmojmë atyre”, theksoi ajo.

Back to top button