Haxhiu nënshkruan marrëveshjen e radhës mes dy ministrive shqiptare të Drejtësisë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar marrëveshjen e radhës me ministrinë e Drejtësisë së Shqipërisë, pasi qeveria shqiptare sot nënshkroi të gjitha marrëveshjet e parapara që priteshin të nënshkruheshin në mbledhjen e dy qeverive, e cila u anulua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Marrëveshja e cila u nënshkrua nga Haxhiu ishte ajo e “Njohjes së të drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, sipas një postimi nga ministria e Drejtësisë.
Rama me ministrat e tij nënshkruan sot marrëveshjet, ndërkohë që tha se tani pret që të njëjtat të nënshkruhen edhe nga ministrat e dikastereve në Kosovë, me ç’rast marrëveshjet do të hyjnë menjëherë në fuqi.
Nënshkrimin e marrëveshjeve, Rama me ministrat e tij e bënë pasi kryeministri Albin Kurti tha se nuk do të takohej vetëm me Ramën, pa u bërë fillimisht mbledhja e dy qeverive. Rama pas nënshkrimit të marrëveshjeve tha se tani pret që Kurti ta konfirmojë takimin, i cili është paraparë për këtë pasdite. /21Media