Haxhiu për paratë e Trustit: S’janë para të ”sekserëve të mafias energjetike”, por kursime të qytetarëve

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i ka reaguar Shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza-Kusari-Lilës, e cila mbrëmë tha se s’ka shanca që të kalojë projektligji për tërheqjen e një pjesë të kursimeve nga Trusti.
Haxhiu ka thënë se kërkesa e qytetarëve për të tërhequr deri në 30% të mjeteve nga Trusti, nuk duhet të trajtohet me inate politike.
”Kjo temë, kjo kërkesë duhet të na bashkoj opozitë dhe pozitë për të ndihmuar qytetarët në krizën ekonomike aktuale. Parat e Trustit nuk janë lojë bixhozi “me shance”, as nuk janë para të “sekserëve të mafias energjetike” me i dergu “Martinqe” jashtë Kosovës përmes Serbisë në Mal të Zi, e prej atje në Slloveni, por janë para të kursimeve të qytetareve dhe kërkesa e tyre është të marrin pak nga ato kursime për të përballuar krizën ekonomike.  Ndonëse Mimoza Kusari-Lila ka përvojë në proceset e privatizimeve, nuk po besoj se ka arritur deri aty sa të privatizoj bindjet, vullnetin dhe votën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.
Ky i fundit ka shtuar se me aq sa ka përvojë në Kuvendin e Kosovës, si dhe si deputet, e din se e drejta e votes të deputetëve nuk është privatizuar asnjëherë nga shefat e grupeve parlamentare, prandaj si të tillë deputetët janë të lirë të votojnë në interes të qytetarëve.
”Kërkesa për tërheqjen e mjeteve nga Trusti është e qytetarëve dhe deputetët që e konsiderojnë veten përfaqësues të popullit do e mbështesin kërkesën e qytetarëve për tërheqjen e mjeteve nga Trusti”, ka thënë Haxhiu.
Ky i fundit ka pasur edhe dy  pyetje për Mimoza Kusarin-Lila.
”Sa para, miliona euro të Trustit të qytetarëve i ka shitur Qeveria në letra me vlerë? A është kjo arsyeja e vërtetë e kundërshtimit të tërhqjes së mjeteve nga Trustit nga pushteti aktual? Trusti është i qytetarëve, jo i pushetarëve”, ka shkruar ai./21Media

Back to top button