Debat në Kuvend për situatën në sektorin e shëndetësisë, kërkohet përgjegjësi nga qeveria

"Qeveria nuk ka sjellur në Kuvend asnjë ligj substancial për shëndetësi"

(Lajm i përditësuar)

Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet për situatën në sektorin e shëndetësisë ku partitë opozitare kanë kritikuar qeverinë për keqmenaxhim derisa kanë kërkuar përgjegjësi për situatën e rëndë në këtë sektor. Në rend dite në këtë seancë është shqyrtimi i propozim-rezolutës nga Partia Demokratike e Kosovës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë.

Ish-ministri i Shëndetësisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj tha se qeveria ka dështuar në sektorin e shëndetësisë.

Ai ka përmendur largimin e profesionistëve shëndetësor nga Kosova duke shtuar se qeveria nuk ka strategji për parandalimin e kësaj.

“Nuk ka plan, nuk ka strategji, nuk ka projekt, nuk ka dialog social për parandalimin e kësaj. Është fakt i njohur që problemet në shëndetësi janë afatgjate ashtu siç janë edhe strategjitë, është fakt i pamohueshëm që ka pasur keqpërdorime në sektorin e shëndetësisë, ka pasur edhe keqmenaxhim por jo të skajshëm ose tendencë për të mbuluar nga propaganda në pushtet, çdo kush që e ka bërë këtë adresa është e qartë, është prokuroria e shtetit, janë institucionet janë përgjegjësit ata të cilët i vënë para ligjit, dhe unë nuk kam pardon, as Lidhja Demokratike në kuptimin e saj, çdo kush e mer atë të cilën e meriton. Të nderuar deputetë, sidomos ju të shumicës, vajtimi për 20 vjet keq menaxhim në sektor të shëndetësisë nuk u ndihmon as nuk e arsyeton kryeministrin Kurti”, tha Zemaj.

Deputeti i LDK-së tha se për dy vjet 350 mjekë e kanë lëshuar Kosovën, pa përmendur ata që kanë kaluar nga sektori publik në atë privat.

Gjithashtu sipas tij për shkak të keqmenaxhimit të qeverisë 362 mjekë kanë mbetur pa punë.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu tha se Qeveria Kurti po i mashtron qytetarët dhe nuk po ndërmerr asnjë veprim për të përmirësuar gjendjen e rëndë në sektorin e shëndetësisë.

“Qeveria do të duhej të veprojë shpejtë dhe me plan konkret për të mirësuar këtë gjendje të mjerueshme në të cilën është katandisur shëndetësia në Kosovë, për fat të keq nuk kemi asnjë veprim, kemi vetëm mashtrim të qytetarëve. Më skandalozja dhe njëjtën kohë më e dhimbshmja është se edhe pacientët me kancer kanë mbetur pa terapi, pa ilaçe, pa kujdes, gjendja është alarmante, pacientët me kancer po detyrohen të shkojnë në Tiranë, në Shkup madje edhe në Beograd për të marrë shërbime mjekësore”, shtoi ajo.

Sipas Zejnullahut sistemi shëndetësor nuk mund të menaxhohet me komunitete por me profesionistë që sipas saj partisë në pushtet i mungojnë.

“Në fushatë pushteti aktual përsëriste frazat si në kor, citoj ‘nuk do të ketë spitale të harruara dhe lista e barnave nuk do të ketë mungesa, do të ketë përmirësim të kushteve të punonjësve shëndetësor, ne kemi spitale publike, ata kanë spitale private’, këto janë vetëm dy nga frazat tuaja të cilat besoj tashmë i keni harruar në pushtet, por të dytën është duke e realizuar më mirë se secili nga ju presidentja juaj. Nuk ka si të ishte ndryshe nga ky pushtet që planin për shëndetësi e ka përmbledhur në një faqe të vetme, nëse mund të quhet ai plan në një faqe”, tha deputetja e PDK-së.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj tha se Qeveria Kuti nuk ka strategji për menaxhimin e sektorit të shëndetësisë.

“Çka mund të flasim sot për shëndetësinë aktuale, pa strategji me veprime ad-hoc, pa ministër mbi dy muaj, me ushtrues detyre në menaxhimi ne shërbimit spitalor klinik dhe universitar, emërimin e ushtruesve të detyrave pa përvojë menaxheriale të dëshmuar paraprake, me rritje 4.4% të buxhetit, përkundër inflacionit që është 20% dhe inflacionit lokal ose rënies prej 4.4%, me listë të pritjes mbi 1 vit, me mungesë të barnave dhe me rritje simbolike të fundit për blerjen e branave kur çmimi i barnave është rrit qind për qind në treg të brendshëm, me ikje të profesionistëve shëndetësor vetëm 191 gjatë këtij viti, me 362 mjekë të papunë, me mungesë të anesteziologëve dhe rënies të programeve kirurgjike për shkak të mungesës së tyre”, tha Dreshaj.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, deputeti Haxhi Avdyli tha se sistemi i shëndetësisë në Kosovë vazhdon të ketë mungesë dhe keqmenaxhim.

Megjithatë sipas tij duhet parë pozitive rritja e buxhetit për këtë sektor.

“Të gjitha partitë kanë udhëhequr me këtë sektor bile edhe partive minoritare u ka ardhur rendi të udhëheqin me këtë sektor, po ashtu këtë sektor e ka udhëhequr edhe Vetëvendosje për dy vite, prandaj siç duhet t’i ndajmë meritat ne duhet t’i ndajmë edhe përgjegjësitë për atë se nuk kemi arritur ta ringrisim një sektor funksional shëndetësor. Sot ky sistem ka shumë mungesa, ka shumë paqartësi, ka shumë ushtrues detyre, ka shumë keq-menaxhim, kemi edhe sektorin e informimit shëndetësor i cili nuk po funksion, i cili në vitin 2017 është kthyer në pikën zero. Sot kemi dëshpërim të punëtorëve shëndetësor, po ashtu pa kënaqësi nga pacientët, ky dëshpërim, kjo pakënaqësi nuk është e tanishme por është e shtresuar dhe grumbulluar të cilat tani po vinë në shprehje edhe këto ditë”, tha ai.

Në seancën e sotme plenare nuk po marrin pjesë ministrat, ndërsa po merr pjesë një numër i vogël deputetësh.

Sipas tij, buxheti i vitit 2023 do të rrisë ndjeshëm furnizimin me barna si dhe do të ndikojë në shtimin e pajisjeve mjekësore.

 

Haxhiu: Pozita e ministrit të shëndetësisë peng i grupeve të interesit brenda partisë në pushtet

Në Kuvendin e Kosovës po shqyrtohet propozim rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë. Aty, deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu tha se rezoluta e propozuar kërkon llogaridhënie dhe përgjegjësi nga qeveria për të sanuar situatën në shëndetësi dhe sipas tij për të ndalur degradimin në këtë sektor.

Ai tha se pozita e ministrit të Shëndetësisë ka mbetur peng i grupeve të interesit në partinë në pushtet.

“Tani shëndetësia ka mbet edhe pa ministër, dhe Albin Kurti nuk merr vendim me emëru një ministër, sepse pozita me ministër të shëndetësisë ka mbetur peng e grupeve të interesit brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit me Listën Guxo. Për pasojë, shëndetësia jonë po udhëhiqet nga ushtrues detyre e që nuk e ka guximin as të vijë sot të përballet me deputetët për sektorin e shëndetësisë”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se qeveria Kurti nuk ka sjellur në Kuvend asnjë ligj substancial për shëndetësi.

“Koha tregoi se ky komitet u themelua jo për të sanuar gjendjen e rëndë në shëndetësi por për ta përzënë Rifat Latifin për Amerikë. Kjo vërtetohet me faktin se prej se Rifat Latifi dha dorëheqje ky komitet nuk mbajt më asnjë takim. Ne deputetët Partisë Demokratike kemi kërkuar këtë debat dhe kërkojmë konstruktivitet parimor nga të gjithë deputetët me qëllim të sanimit të gjendjes në sektorin e shëndetësisë”, tha ai.

Haxhiu tha se qeveria Kurti nuk ka sjellur në Kuvend asnjë ligj substancial për shëndetësi.

 

Kuvendi miraton Projektligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim projektligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.

Projektligji mori 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Në seancën plenare të Kuvendit, në rend dite janë edhe shqyrtimi i propozim-rezolutës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021 dhe shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.

Artikuj të ngjashëm

Shikoni Gjithashtu
Close
Back to top button
close button