Haxhiu: Sulmi ndaj Valon Sylës është i papranueshëm dhe i dënueshëm

(Lajm i përditësuar)

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shprehur indinjatën e saj për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla.

Ajo, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka kërkuar nga policia, prokuroria dhe gjykata që të bëjnë punën e tyre me seriozitetin më të lartë ndaj rastit të Sylës, dhe të gjithë gazetarëve të tjerë.

“Sulmi ndaj Valon Sylës është i papranueshëm dhe i patolerueshëm, si dhe i dënueshëm. Gazetarit dhe opinionistit Valon Syla i urojmë shërim sa më të shpejtë”, tha ajo.

Kurti: Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla i patolerueshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit, Valon Syla.

Kurti në fillim të mbledhjes së sotme të Qeverisë tha se sulmi ndaj Sylës është i patolerueshëm dhe i papranueshëm.

“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës”, tha Kurti.

Kreu i Qeverisë kërkoi nga institucionet që ta trajtojnë këtë rast “me seriozitetin e duhur”, në mënyrë që autorët të vihen para drejtësisë “sa më parë”.

Avokati i Popullit e dënon sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla

Avokati i Popullit e ka dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla i cili u sulmua nga persona të panjohur pak kohë pas paraqitjes së tij televizive.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se ky sulm është i papranueshëm dhe cenim i lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave në Kosovë.

“Sulmet verbale a fizike ndaj gazetarëve, kërcënimet përmes rrjeteve sociale a në çfarëdo forme tjetër, cenojnë të drejtat kushtetuese për sigurinë e gazetarëve dhe të medieve”, tha ai.

Avokati i Popullit tërheq vëmendjen mbi nevojën e mbrojtjes efektive të gazetarëve nga çdo formë e cenimit të sigurisë dhe pengimit të ushtrimit të lirë të profesionit. Qelaj fton organet kompetente që të hetojnë dhe ndriçojnë këtë rast, dhe ti vënë autorët e sulmit para drejtësisë.

Sulmuesit e Valon Sylës ende të lirë, prokuroria thotë se po e heton rastin

Prokuroria Themelore e Prishtinës deklaron se po zhvillon hetime në mënyrë intensive për rastin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla. Rasti është cilësuar si “lëndim i lehtë trupor”, teksa të dyshuarit ndodhen akoma në arrati.

Gazetari Syla është përcjellur mbrëmë dhe më pas është sulmuar nga tre persona të dyshuar. I njëjti ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar edhe trajtim mjekësor në QKUK.

Njoftimi i plotë i prokurorisë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë ju njofton lidhur me rastin e gazetarit V.S., i cili ka marrë lëndime trupore si pasojë e sulmit fizik nga tre persona, me ç’ rast i njëjti ka pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor, derisa Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim të plotë me Policinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar “Lëndim i lehtë trupor”, sipas KPRK-së dhe në vazhdimësi janë duke u zhvilluar hetime në mënyrë intensive, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti, si dhe identifikimit e sigurimit të prezencës së të dyshuarve në procedurën penale.

Back to top button