Haxhui: Nuk ka garancë që do të arrihet marrëveshja

Përfundon mbledhja e Kryesisë së VV-së, prononcohet Haxhiu

Lëvizja Vetëvendosje ka përfundur mbledhjen e kryesisë e cila kishte filluar që nga ora 09:00.

Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, Albulena Haxhiu nga VV në një prononcim për media tha se kjo ishte një mbledhje e rregullt e VV-së duke thënë se kreu i partisë, Albin Kurti i ka njoftuar për ecurinë e bisedimeve me LDK-në.

Ajo u shpreh se janë duke u përpjekur për arritjen e një marrëveshjeje me LDK-në, megjithatë theksoi se nuk ka garancë pasi që sipas saj ende ka barrikadime, shkruan rtv21.tv.

“Do të bëjmë përpjekje për arritjen e një marrëveshje, mirëpo nuk mund të thëmi se mund të ndodhë sot pasiqë ende ka barrikadime”, tha Haxhiu.

Sa i përket barrikadimeve Haxhiu përmendi se posti i Presidentit ende është kushti i LDK-së.

“Do të angazhohemi maksimalisht, besoj që është e qartë lidhur me postin e presidentit. Unë mendoj se nuk është në rregull të bisedohet për postin e Presidentin”, u shpreh Haxhiu duke thënë se edhe mund të jetë ndonjë personalitet tjetër e jo nga VV ose LDK.

“Nuk mund të themi me garancë se kjo marrëveshje mund të ndodhë, do të punojmë ditë e natë, por nuk ka garancë, ne jemi shumë të interesuar që kjo marrëveshje të arrihet”, u shpreh ajo.

Haxhiu konfirmoi se VV do të takohet me përfaqësuesit e LDK-së sot në orën 16:00./21Media

Back to top button