Kaloni te përmbajtja kryesore

Haziri: LDK nuk duhet të marrë pjesë në ‘garën e pështymës’

“Nga bashkimi i Kosovës Lindore me Kosovën nuk cenohet sovraniteti”

Nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se është folur e përfolur shumë në lidhje me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian në mes të Kosovës dhe Serbisë, e në veçanti për marrëveshjen finale të paqes në mes dy vendeve, e cila do të jetë ligjërisht obligative.

Ai ka thënë se dihet botërisht fakti se tradicionalisht dialogu ka qenë ‘arma’ e vetme e LDK.  Në paqe dhe në luftë.

Shkrimi i plotë nga Lutfi Haziri:

Është folur e përfolur shumë në lidhje me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian në mes të Kosovës dhe Serbisë, e në veçanti për marrëveshjen finale të paqes në mes dy vendeve, e cila do të jetë ligjërisht obligative.

Kohëve të fundit paraqitën ftesa me gjuhë të papranueshme kryetari e nënkryetari i PDK’së dhe njëri nga zëvendëskryeministrat e Kosovës, për pjesëmarrjen e LDK në dialog.

Me të njejten monedhë u kundërpërgjigjën edhe nga partia ime.

Unë e kuptoj që ftesat e tyre i përngjajnë ftesës për ‘garën e pështymës’, por nuk po e kuptoj vrapin e tanëve për të marrë pjesë në të.

Dihet botërisht fakti se tradicionalisht dialogu ka qenë ‘arma’ e vetme e LDK.  Në paqe dhe në luftë.

LDK ka ditur dhe di edhe sot ta përdor dialogun për interesa të Republikës deri në marrëveshje paqësore, por jo për kompromise të panjohura e pa legjitimitet. Fundi-fundit, legjitimiteti nuk falet, por fitohet.

Të kthehemi tek tema më e nxehtë në këtë kontekst, e cila ka qenë dhe vazhdon të jetë ajo e çëshjes së të ashtuquajturit ‘korrigjim i kufijve’, siç po e paraqet presidenti i Republikës në mënyrë permanente.

Dhe, jo rrallëherë, në kuadër të këtij debati, unë kam qenë i sulmuar padrejtësisht nga disa ‘fronte’ për shkak se as koncepti e as kronologjia mbi këtë çështje nuk e vërtetojnë një gjë të tillë.

Zgjidhja, kufiri me Serbinë – Ristovci, me Maqedoninë – Çukarka

Qysh në tetorin e vitit 2011 unë e kam lansuar dhe proklamuar këtë kauzë, e cila është mbipolitike. Pra, nga bashkimi i Kosovës Lindore me Kosovën nuk cenohet sovraniteti, por mund të përkthehet si sforcim dhe zgjerim.

Realiteti ynë është i hidhur edhe sot e kësaj dite pasi që ne si Kosovë e kemi barrën historike të zgjidhjes së çështjes së Kosovës Lindore.

Zgjidhja më e mirë do të ishte që kufiri i Kosovës me Serbinë të jetë në Ristovc, ndërkaq me Maqedoninë në Çukarkë.

Çfarëdo marrëveshje me Serbinë që nuk e rikthen këtë pjesë të natyrshme të Kosovës brenda kufijve të saj, nuk është zgjidhje as e qëndrueshme, as e përhershme. Pra, nuk mund të quhet finale, por marrëveshje gjysmëfinale.

Në këtë kohë kur edhe presidenti Trump dhe të gjithë aleatët kryesor ndërkombëtar po kërkojnë nga lidershipi ynë që çështjen e Kosovës ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë me Serbinë, ne duhet të jemi shumë më vigjilentë e syhapur, shumë më vizionar e kombëtar sesa ‘patriotë’ të çastit.

Nuk ka asnjë argument të vetëm politik e as socio-ekonomik që do të vërtetonte se zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës me Serbinë është e qëndrueshme pa rikthimin e Kosovës Lindore në Republikën e Kosovës.

Kosova dhe sovraniteti i saj asnjëherë nuk duhet vënë në pikëpyetje. Por, për mua ka qenë dhe mbetet amanet që të kujdesemi për Kosovën Lindore.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button