Haziri ka thënë se se nga 12 qershori Kosova do ta ketë një qeverisje të qëndrueshme

Haziri ka thënë se se nga 12 qershori Kosova do ta ketë një qeverisje të qëndrueshme

Kryetari i Gjilanit, njëherësh nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë të martën në Gjilan se nga 12 qershori Kosova do ta ketë një qeveri të re, të qëndrueshme dhe stabile, që do të udhëhiqet nga Avdullah Hoti.

“Besojmë shumë se më 12 qershor, një ditë pas zgjedhjeve, jo vetëm Gjilani dhe Anamorava, por Kosova në përgjithësi do ta gjejë me një qeverisje të qëndrueshme, të sigurt dhe stabile të drejtuar nga Avdullah Hoti”, ka thënë Haziri.

Këto komente Haziri i ka bërë gjatë një vizite në kompaninë Fluidi në Gjilan, ku ishte së bashku me kandidatin për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti.

Hoti ka thënë se do t’i funksionalizojmë zonat ekonomike dhe jemi dakorduar me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Ministrinë e Tregtisë për t’i bërë këto zona në funksion të komunitetit të biznesit.

“Këto masa ekonomike të cilat janë të detajizuara me gjithë legjislacionin përkatës do të dyfishojnë rritjen e bizneseve në Kosovë. Do t’i vizitojë të gjithë sektorët e bizneseve në Kosovë, për t’ju treguar planet konkrete zhvillimore në të gjitha fushat të cilat do t’i ndërmarrim. Ne jemi të sprovuar në fushën e ekonomisë dhe nuk ka temë më të rëndësishme në Kosovë se ekonomia dhe punësimi i të rinjve”, ka thënë Hoti.

Ai ka premtuar se në mandatin e ri do “t’i heqë të gjitha monopolet të cilat po e ngulfatin ekonominë e Kosovës”.

Fejzullah Mustafa, pronar i fabrikës për prodhimin e pijeve Fluidi ka thënë se fabrika e tij posedon sipërfaqe mbi 10 mijë metra katror dhe rreth 200 punëtorë. Ai ka kërkuar që të vazhdohet me ndryshimin e politikave fiskale në favor të prodhimit vendor.