Haziri: Nuk lejojmë të çaraveshen me sukseset tona

Sipas tij qeveria në krye me Avdullah Hotin do t’i bartë projektet për Gjilanin

Kryetari i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka thënë të premten se kandidatët e Gjilanit do të jenë pa diskutim deputetë të Parlamentit dhe se ata do të merren me tri vendime tejet të rëndësishme për Gjilanin dhe Kosovën.

Kodra e Dëshmorëve, Rruga e Prishtinës e Livoçi i Epërm, i kanë bërë sot pritje kandidatëve të LDK-së në Gjilan për deputetë në Kuvend, Lirije Kajtazi, Imet Rrahmani, Valentina Bunjaku Rexhepi, Isa Agushi e Bajrush Ymeri.

Me këtë rast, Haziri sërish ka përmendur faktin se rivalët e çuan vendin në zgjedhje për shkakun se mentaliteti i Ballkanit është që “gjithçka të falë, pos suksesit”.

“Janë tri probleme, të cilat deputetët e LDK-së do të merren, duke filluar nga gjykata speciale, demarkacioni dhe e treta ka të bëjë me Gjilanin dhe me investimet milionëshe, prej hyrje-daljeve të qytetit e deri tek autostrada. Këta deputetë do të garantojnë këto investime dhe qeveria nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, do të jetë bartëse e këtyre projekteve për Gjilanin. Nuk do të lejojmë që të tjerët të çaraveshen me sukseset tona”, tha Haziri.

Kandidatja e LDK-së, Lirije Kajtazi u zotua para qytetarëve se nuk do ta keqpërdorë votën e tyre dhe ka kërkuar të votojnë koalicionin LDK-AKR-Alternativa për të dalë e para në zgjedhje.

Ndërkaq, kandidati Imet Rrahmani ka thënë se rivalët do të shkojnë në shtëpi të pushojnë më 11 qershor, pasi tash është koha e LDK-së për një qeverisje të suksesshme.

Edhe kandidatët tjerë kërkuan votën e qytetarëve gjilanas për koalicionin LDK-AKR-Alternativa, në mënyrë që të shënojnë fitore në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit.

Back to top button