Haziri: Rexhep Berisha ishte shembull i qëndresës

Ndarjen e sotme me bacën Rexhë, Haradinaj e krahasoi me ndarjet prej burrave të çmuar

Për të nderuar atdhetarin Rexhep Berisha, burrin e madh dhe të urtë, i cili u nda nga jeta të mërkurën, të premten në Gjilan është mbajtur edhe një mbledhje e madhe komemorative e qytetit, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve komunale e shtetërore, të strukturave të tjera politike e fetare si dhe qytetarë të shumtë të Gjilanit, Anamoravës, Luginës së Preshevës dhe Kosovës.

Duke folur në këtë komemoracion, Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, i cili në emër të qytetarëve të Gjilanit, i fundit është ndarë Rexhep Berisha, ka thënë se të gjithë ne jemi sot të vegjël para veprës së tij, para shtatit të tij dhe para fjalëve që na la sa herë që e kemi takuar dhe kudo që e kemi takuar, në ditë të vështira e në ditë të mira.

“Faleminderit baca Rexhë për krejt atë që ke bërë për ne, për rreth një shekull jetë, faleminderit që na mësove qëndresën, faleminderit që nuk u theve asnjëherë, që na mësove si të mos koritemi asnjëherë para familjes, para atdheut dhe para Zotit. Ky është mësim i një babai të mirë”, ka thënë kryetari Haziri.

Në tubimin komemorativ për Rexhep Berishën ka marrë pjesë edhe Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër të Kosovës, i cili ka thënë setë ndahesh prej njerëzve tek të cilët ka besim të madh, nuk është aq e thjeshtë.

Ndarjen e sotme me bacën Rexhë, ai e krahasoi me ndarjet prej burrave të çmuar, prej burra të zotë, prej atyre që, siç tha Haradinaj “ma kanë bërë të lehtë t`i them vetes shqiptar”.

Haradinaj tha se kushdo prej nesh që ka pasur rastin me rrugëtua së bashku me bacën Rexhë, e kemi për borxh me mbajt këtë nder gjatë gjithë jetës sonë.

Ndërkaq, Ahmet Isufi, bashkëveprimtar i Nuhi Berishës, ka thënë se sot po ndahemi nga një burrë i madh i kombit tonë, i cili tërë jetën e vetë e kishte vertikale.

Në emër të familjes, është falënderuar Bajram Berisha.

Familjes Berisha, telegrame ngushëllimi i kanë dërguar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani dhe të tjerë.
Rexhep Berisha u varros me nderime institucionale e qytetare në varrezat e dëshmorë ve në Gjilan, ku e fundit prej tij u nda Shukrie Gashi./21Media

Back to top button