Haziri: Sonte fitojnë gjilanasit
Kandidati nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, sot u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë që të projektohen katër vjetët e ardhshme.
Kandidati i LDK-së i shoqëruar me bashkëshorten, vajzat dhe familjarë të tjerë votoi në shkollën “Abaz Ajeti” në Gjilan.
Haziri dëmtoi fletëvotimin e parë dhe më pas iu ofrua një tjetër.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Gjilanit, gjilanasit kudo që janë sot të ndajmë pak kohë në këtë ditë të bardhë të nëntorit dhe këtë të diele me gëzim dhe në mënyrë festive të dalim të votojmë dhe ta përmbyllim procesin e pushtetit lokal. Është jo vetën obligim qytetar por edhe përgjegjësi e secilit prej nesh që të kujdesemi për të zgjedhurit tanë. Apeli im është që shfrytëzojnë këtë ditë, këtë mundësi dhe projekton katër vjeteshin tuaj dhe besimi juaj shprehet vetëm me votë”, tha Haziri.
Haziri tha se nuk kanë evidentuar ndonjë parregullsi, përveç atyre teknike në mëngjes.
Më tej, u pyet edhe se kush do të fitojë sonte.
“Gjilanasit, faleminderit shumë, si gjithmonë”, shtoi ai.
Gjilani është në mesin e 21 komunave që garon për herë të dytë për zgjedhjen e kryetarit. Në këtë komunë në balotazh janë Lutfi Haziri nga LDK dhe Alban Hyseni nga LVV.