Heqja e qeseve të plastikës nga përdorimi lë pa punë disa punëtorë

Makinat në fabrikën e qeseve plastike në Maqedoninë e Veriut nuk punojnë më, për shkak se punëtorët e këtyre makinerive janë larguar nga puna.

Igor Cvetkovski, është njëri nga punëtorët që frikësohet se edhe ai do të mbetet pa punë. Ka një familje që varet prej tij, ndërsa ka dy fëmijë që i shkojnë në shkollë.
“Përafërsisht 25 vjet punoj këtu. Deri tash kishim punë, por tani me ligjin e ri është shumë e vështirë. Kam familje 4 anëtarëshe dhe të gjithë presin prej meje”, tha Igor Cvetkovski, punëtor.
Pronari i kompanisë, Marjan Monevski, thotë se me ndalimin e përdorimit të qeseve të plastikës, puna ka rënë në mënyrë drastike. Është dashur të largoj nga puna 4 punëtorë si tepricë teknologjike dhe ka frikë se do të vijë situata që do të duhet të largohen edhe punëtorë të tjerë.
“Për fat të keq, nëse vazhdon gjendja kështu, nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të ulet numri i të punësuarve që është një tragjedi e madhe edhe për mua si punëdhënës, por dhe për ata njerëz që ekzistencën e kanë pikërisht prej këtu”, tha Marjan Monevski, pronar i kompanisë.
Monevski thotë se 50%  ka rënë numri i shitjes së qeseve dhe është ulur fitimi.
“U përballëm me problemin që humbëm porositë nga blerësit tonë të rregullt, të ardhurat filluan të bien në nivel të paqëndrueshëm me çka edhe rrezikohet edhe ekzistenca e kompanisë”, pohoi Marjan Monevski, pronar i kompanisë.
Prodhuesit e qeseve të plastikës kanë frikë për ekzistencën e kompanive dhe vendin e punës së punëtorëve, prandaj apelojnë deri te institucionet që t’ju vijnë në ndihmë.
“Nëse shteti do të mund të na ndihmonte në dy aspekte, prolongimin e afatit dhe uljen e cmimit të qeseve deri në një shifër të arsyeshme deri në 3 denar, nga cka shteti do të marrë gjysmën për Fondin ekologjik për zhvillim të projekteve ekologjike. Pra do të ketë edhe shteti benefite, do të ketë edhe benefite ekologjike dhe do të ulët përdorimi I qeseve, por jo deri ne nivelin që të na shkatërroj neve prodhuesve”,  theksoi Marjan Monevski, pronar i kompanisë.
Sipas grupacionit të prodhuesve dhe përpunuesve të qeseve të plastikës me uljen drastike të punës rrezikohet mbyllja e 30 fabrikave, ndërsa pa punë do të mbeten rreth 600 persona. Sipas pronarëve nëse nuk zgjidhet problemi planifikojnë të organizojnë protesta./TV21

Back to top button