Hiqet guri përkujtimor i Nanë Pashkes

Guri përkujtimor i Pashke Markut, nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të djemve të saj të vrarë e të djegur nga kriminelët serbë, është hequr pasditen e së enjtes nga një pronë private në Korenicë të Gjakovës.
Lajmi u bë fillimisht i ditur nga studiuesi e shkrimtari Ag Apolloni, ndërsa më pas është konfirmuar nga familjarët e Markut.
Apolloni në lajmërimin e tij ka thënë se guri është hequr nga pronari i tokës. Ai ka kërkuar nga autoritetet ta kthejnë gurin ku ka qenë, ndërsa ka thënë se ekzistojnë dyshime se heqja e gurit është bërë për arsye fetare e politike.
“Ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare (sepse pronari është frikësuar se aty mund të ngrihet një kishë, pavarësisht se familja e Pashkes e ka siguruar që nuk do të ngrihet asnjë kishë aty) dhe për arsye politike, se s’i paska pëlqyer që kryeministri e paska shkelë arën e tij, kur ka bërë homazh te guri. Ai gur nuk është objekt fetar, as nuk është gurthemel kishe, as që ka të bëjë fare me politikë. Çdo kryeministër në të ardhmen duhet të bëjë homazh tek ai gur. Ai gur është simbol i një tragjedie kombëtare”, ka shkruar Apolloni në Facebook.
Ai i ka bërë thirrje pronarit të tokës ta kthejë gurin në vendin e vet.
Ndërkaq, familjari i Markut, Flamur Marku, ka thënë se “asnjë shkëmb nuk do mund ta përshkruante dhimbjen e Nanës Pashkë për bijtë e vrarë nga forcat armike serbe dhe as një gur i hequr nuk mund ta zbehë kurrë sakrificën dhe mesazhin e saj për Boten me aktin e Vetëflijimit”.
Pashke Markut i ishin vrarë dy djem në fund të prillit të 1999-s. Trupat e tyre ishin gjetur në varreza masive nëpër Serbi. Më 26 maj 2023, Nana Pashke ia vuri flakën vetes pasi konsideronte se duhej të digjej edhe ajo.
NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?