Hodaj: Gjatë viti 2023 kemi rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policorë

Kushtrim Hodaj, kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ka bërë të ditur se gjatë viti 2023 IPK ka rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policorë të gradave dhe niveleve të ndryshme për përfshirje në vepra të ndryshme kriminale.
Hodaj këto të dhëna i bëri publike të hënën gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes për raportin vjetor të punës për vitin 2023.
Ai tha se gjatë viti 2023 kanë hetuar 178 të dyshuar, prej tyre 156 punonjës policorë dhe 22 qytetarë që kanë qenë në raste të përbashkët me zyrtarët policorë.
Hodaj tha se gjatë vitit të kaluar kanë arrestuar edhe 35 punonjës të policisë dhe qytetarë.
“Kemi pranuar 1697 ankesa gjatë vitit 2023, të pranuar nga qytetarët. 32 për qind të këtyre ankesave i kemi orientuar për hetim penal. Jemi angazhuar Në parandalimin dhe luftimin e krimit dhe keqmenaxhimit. Kemi hetuar 178 të dyshuar, prej tyre 156 punonjës policor dhe 22 qytetarë që kanë qenë në raste të përbashkëta me zyrtarët policor. Kemi ngritur 74 kallëzime penale ndaj të dyshuarve, kemi arrestuar 35 punonjës dhe qytetarë. Kemi rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policor të gradave dhe niveleve të ndryshme”, ka deklaruar Hodaj.