Homazhe për Mujë Krasniqin dhe 41 luftëtarët e rënë heroikisht

21 vjet që nga rënia e e Komandant “Kapuçit”dhe 41 luftetarëve

Në përvjetorin e rënies së komandantit të Brigadës 113, Mujë Krasniqit dhe 41 dëshmorëve të kombit, sot në kompleksin memorial të dëshmorëve në fshatin Marinë, janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora me lule.

Familjarë të dëshmorëve, udhëheqës të organizatave të dala nga lufta, kryetarë të komunave dhe ish-luftëtarë të UÇK-së, janë përkulur para varrezave për të kujtuar dhe nderuar veprën e atyre që ranë për lirinë e Kosovës.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari tha se dëshmorët duhet respektuar dhe kujtuar çdo herë.

“Sot jemi duke bërë homazhe, duke i nderuar ata të cilët na e mundësuan që ne sot të marrim frymë lirshëm, pra jemi duke bërë homazhe dhe duke nderuar 41 dëshmorët që ranë në kufirin shqiptaro-shqiptar për lirinë e vendit tonë, në krye me komandantin e Brigadës, Mujë Krasniqi. Lavdi e përjetshme për të gjithë të rënët e vendit tonë, vetëm duke respektuar, duke kujtuar, duke nderuar dhe asnjëherë nuk guxojmë të mendojmë për t’i harruar këto gjëra sepse do të harrojmë vetveten”, tha ai.

Bashkë me të ishte edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili tha se kjo ditë ka rëndësi të veçantë për të.

“Për ne kjo ditë është ditë e veçantë sidomos për Zonën Operative të Drenicës që kemi humbur njeriun më të devotshëm të UÇK-së, kur e dimë punën dhe veprën e tij dhe shokët e tij që e kanë bërë. Lavdi e përjetshme për të gjithë dëshmorët e kombit”, tha ai.

E sipas kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, kujtimi për të rënët është kujtim ndaj vlerave dhe historisë që nuk guxon të harrohet.

“Ne po kujtojmë sot komandantin e Brigadës 113 Mujë Krasniqi, dhe 41 dëshmorë që kanë rënë në betejën e kufirit të Kosovës dhe Shqipërisë. Kujtimi për ta është kujtimi ndaj historisë, kujtimi ndaj vlerave,. Kujtimi ndaj asaj që ne nuk guxojmë kurrë ta harrojmë”, tha ai.

Në 21 vjetorin e rënies së Mujë Krasniqit, kujtojmë se ai bashkë me 41 luftëtarë të UÇK-së ranë heroikisht më14 dhjetor të vitit 1998, në një pritë nga forcat serbe, afër kufirit Kosovë-Shqipëri.

Mujë Krasniqi, i njohur si komandant Kapuçi, ishte një prej luftëtarëve të parë të UÇK-së.

Back to top button