Hotelierët të mllefosur me Qeverinë!

 

Hotelierët në Maqedoninë e Veriut të mllefosur me Qeverinë. Reagojnë për pakon e fundit të masave qeveritare. Tërheqin vërejtje se premtimi parazgjedhor për ulje të TVSH-së dhe vendosje të taksës së sheshtë është realizuar pjesërisht. Në vend të një, kanë marrë tre shkallë të TVSH-së.

“Vendosjen e shkallës së re të taksës në hotelieri, nuk do ta ndjejnë të gjithë në mënyrë të barabartë. Objektet hotelierike, restorantet, nacionale dhe të gjithë ata që punojnë me ushqim, do të kenë përfitim më të lartë në krahasim me kafenetë, baret, klubet e natës dhe diskotekat që punojnë vetëm me pije. Vendosja e shkallës së re nuk do të ketë ndikim të rëndësishëm në punën dhe rimëkëmbjen e shpejtë të industrisë hotelierike nga pandemia Covid-19”, thonë nga Oda e Pavarur e Hotelierisë.

Sipas Zdravsko Josifovskit, edhe përkundër faktit se shkalla e re prej 10% për të gjitha shërbimet hotelierike nuk është zbatuar në tërësi, e njëjta do të ketë efekt pozitiv në funksionimin ligjor të hotelierëve.

“Edhe përkundër asaj që nuk është zbatuar në tërësi, megjithatë duhet mirëpritur. Konsiderojmë se me këtë masë do të barazohen të gjithë hotelierët, pa marrë parasysh ku gjenden dhe tatimet që i kanë pasur në të kaluarën. Do bë bëhen më konkurrentë në treg dhe ndikimi i kësaj mase në plan afatgjatë do të japë rezultate pozitive për hotelierët”, u shpreh Zdravko Josifovski – Oda e Pavarur e Hotelierisë.

Drejtoresha e DAP-it, sot theksoi se institucionet qeveritare janë në komunikim të vazhdueshëm me hotelierët. Shton se në programin parazgjedhor të Qeverisë ishte paraparë barazim i shkallës së shërbimeve të restoranteve.

“Tani për tani ka tre shkallë, respektivisht 5% për marrje të porosisë, 10% për ushqim në restorant dhe shërbim-ketering, kurse shkalla e tretë është 18% e shitjes së pijeve alkoolike, e cila nuk mund të jetë në kuadër të këtyre dy shkallëve. Ky është një fillim i realizimit të kësaj pjese të programit të Qeverisë dhe bashkëpunim i vazhdueshëm me palët e prekura”, deklaroi Sanja Llukarevska – Drejtoreshë e Drejtorisë për të Ardhura Publike.

Llukarevska theksoi se Qeveria edhe në të ardhmen do t’i detektojë problemet e hotelierëve. Nga Oda e Pavarur e Hotelierisë, thonë se edhe në periudhën që vijon do të angazhohen që Qeveria sa më shpejt që është e mundur ta përmbushë premtimin e saj zgjedhor, pra të ketë një shkallë tatimore për të gjitha shërbimet hotelierike./TV21

Back to top button