Hoti avancohet në UP
Avdullah Hoti nga sot profesor i rregullt
Kandidati për Kryeministër të Kosovës nga koalicioni LDK-AKR, Avdullah Hoti është avancuar nga Senati i UP-së në thirrjen Profesor i Rregullt.
Avancimi i tij është bërë sot në mbledhjen e Senatit të UP-së pasi senatorët e kanë marrë këtë propozim nga Dekani i Fakultetit Ekonomik, But Dedaj.
“Hoti nuk ka kurrfarë posti zyrtar. Aktualisht është ushtrues detyre andaj unë qëndroj prapa avancimit të tij”, tha Dedaj duke iu referuar pozitës së Hotit në qeverinë në largim të Kosovës si ministër i Financave.
Por, dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, kërkoi kujdes në avancime të personave që janë në detyrë zyrtare. “Duhet të kemi kujdes në avancim të profesorëve qe janë në detyrë zyrtare sepse kemi pas rast në të kaluarën kur nuk e kemi avancuar”, tha Dugolli.
Ndërsa prorektori për mësimdhënie, Naser Sahiti, e mbështeti propozimin për avancimin e Hotit. “Ka raste edhe kur janë avancuar profesorët që kanë mbajtur pozita zyrtare”, tha Sahiti, raporton Kallxo.com