Kurti “mbyllet”, pret certifikimin e rezultateve

Ndonëse rezultatet zgjedhore kanë përcaktuar ulëset në Kuvend që kanë fituar secila prej partive politike, gjë që mund të ishte bazë për nisjen e bisedimeve për formimin e institucioneve, kryeministri Kurti nuk preferon një gjë të tillë. Pas një aktiviteti gjatë ditës, ai tha se po pret certifikimin e rezultateve.
“Po sa të certifikohet rezultati do t’i fillojmë komunikimet menjëherë”., tha ai.
Ndërkohë, KQZ-ja nuk pritet t’i shpallë rezultatet përfundimtare këto ditë, të paktën sipas asaj që ka thënë zëdhënësi i këtij institucioni për RTV21, Valmir Elezi. Pas vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe të vendimmarrjes së institucioneve përkatëse, para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Mund t’ju konfirmoj se KQZ-ja është njoftuar me vendimet e PZAP-it lidhur me dy ankesat e paraqitura në këtë institucion. Ndaj këtyre vendimeve, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Gjykatën Supreme, andaj KQZ-ja do të presë që vendimet të marrin formë të prerë. Pas plotfuqishmërisë së vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në, të cilat duhet të zbatohen para se të procedohet me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare”, ka deklaruar Elezi.
Po ashtu, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Melos Kolshi, vlerëson se kryeministri Kurti nuk duhet ta presë certifikimin e rezultateve, pasi tashmë dihet se sa ulëse kanë fituar partitë në Kuvend.
“Kjo marrëveshje nuk është e domosdoshme të ndodhë pas certifikimit të rezultateve, pasi që deputetët dihen se sa kush do t’i marrë dhe mbetet në dorë të subjekteve politike për një marrëveshje për zgjedhjen e institucioneve. Ky është një interpretim që nuk është i duhur.”, ka thënë Kolshi për rtv21.
Duke u bazuar në procedurat kushtetuese për zgjedhjen e institucioneve, Kolshi thotë se fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi.
“Pa u konstituuar Kuvendi nuk mund të zgjidhet Qeveria, as presidenti i ri. Duke e pasur parasysh se ka pasur kriza për shkak të mosmarrëveshjeve politike, atëherë për zgjedhjen e presidentit duhet të jenë dy të tretat e deputetëve.”, ka deklaruar Kolshi.
Ndërkohë, përfaqësuesit e partive opozitare nuk kanë preferuar të flasin nëse janë të gatshëm të takohen me kryeministrin në detyrë për formimin e institucioneve./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?