Hoti: Borrell e Lajçak nuk janë përgjigjur për mos zbatimin e deklaratës së personave të zhdukur

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti deklaroi se Serbia nuk po zbaton deklaratën për personat e gjetur, të nënshkruar me 2 maj në Bruksel. Ai tha se lidhur me këtë u ka dërguar letër ndërmjetësuesve të dialogut, por edhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Hoti u shpreh se së shpejti Ligji për Personat e Zhdukur do të jetë për konsultime publike. Opozita kritikoi qeverinë, duke thënë se çështja e personave të zhdukur nuk është prioritet.

Hoti theksoi se gjatë vitit 2023 kanë gërmuar në 15 lokacione në territorin e Kosovës.

Përkundër deklaratës për personat e pagjetur, Hoti theksoi se Serbia nuk po zbaton marrëveshjen e 2 majit në Bruksel. Ai shtoi se i ka dërguar letër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për hapjen e arkivave të ushtrisë së brigadës 37 e cika ka operuar në zonën e Drenicës.

Tutje, Hoti theksoi se janë duke punuar në katër lokacione brenda territorit të Kosovës, ndërkaq kanë kërkuar informacione për 16 lokacione në Serbi.

Ai foli edhe për Ligjin për Personat e Pagjetur, për çka tha se shpejti do të jetë në konsultime publike.

Kritika për vonesat në Ligjin për Personat e Pagjetur ka pasur deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Ariana Musliu Shoshi.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Koordinues të familjarëve të personave të zhdukur, Ahmet Grajqevci, shprehi kritikat e tij për mos punën e institucioneve gjatë këtyre viteve.

Teksa përmendi rastet e gjenocidit serb, Grajqevci shtoi se shteti nuk po bën asgjë për dokumentimin e tyre. Në Kosovë janë mbi 1600 persona, për të cilët nuk dihet fati i tyre.

Back to top button