Hoti: Dialogu me Serbinë do të përfundojë me njohje reciproke

 

Kryeministri Avdullah Hoti ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Bjornstad, i cili është shoqëruar nga ambasadori i Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl. Me këtë rast, siç ka bërë të ditur zyra e kryeministrit, Hoti e ka njoftuar Bjornstad për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, veçmas për menaxhimin dhe parandalimin e pandeminë COVID–19 dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Duke folur për agjendën dhe orientimin e integrimit të plotë euroatlantik të Kosovës, kryeministri ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Norvegjia i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat. Në këtë kontekst, siç është theksuar, Hoti ka pohuar se të dy vendet duhet ta thellojnë edhe më shumë bashkëpunimin dypalësh në interes të dy vendeve dhe popujve tanë. 

Ndërsa, Përfaqësuesi Special i Norvegjisë per Ballkanin Perëndimor Arne Bjornstad e ka falënderuar  kryeministrin Hoti për pritjen, duke thënë se Norvegjia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian.

 “Gjithashtu, në këtë takim është biseduar edhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Lidhur me këtë, kryeministri Hoti ritheksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme me Serbinë, e cila do të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve.”, ka njoftuar zyra e kryeministrit përmes komunikatës./21Media

Back to top button