Likaj dhe Zemaj vizituan dy shkolla për të parë nga afër fillimin e mësimit

 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani dhe drejtoresha e DKA-së në Prishtinë, Shpresa Shala, kanë vizituar sot shkollën “Iliria” dhe Shkollën e Gjelbër në kryeqytet, për të parë nga afër fillimin e procesit të mësimit.

Ministri Likaj ka qëndruar në disa klasë, ku ka bashkëbiseduar me nxënësit, të cilët janë shprehur të lumtur që janë kthyer përsëri në shkollë dhe janë takuar me shokët, shoqet dhe mësuesit.

Po ashtu, ministri ka biseduar me nxënësit edhe për rëndësinë që ka respektimi i rregullave në oborrin e shkollës, në shkollë dhe në klasë, ndërsa iu ka uruar shëndet e suksese atyre dhe të gjithë nxënësve në Republikën e Kosovës.

Në bashkëbisedim me mësimdhënësit dhe me menaxhmentin e shkollave, ministri Likaj ka theksuar se Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si dhe institucionet tjera qendrore e lokale do të jenë afër shkollave vazhdimisht, në mënyrë që procesi mësimor të menaxhohet sa më mirë.

Ai është shprehur i kënaqur me përgatitjet që kanë bërë këto shkolla, duke i respektuar në tërësi udhëzuesit dhe protokollet për fillimin e mësimit në kushte pandemie.

Back to top button