Hoti: Flemë mbi të, por vitin që shkoi importuam 6 milionë euro qymyr

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka thënë se bizneset private janë duke u detyruar të importojnë qymyr, për shkak se kontrata e ndërmarrjes “Kosova Thëngjill” me Korporatën energjetike të Kosovës (KEK) nuk është aktive.
“Flemë mbi qymyr, por importojmë qymyr. Një numër i bizneseve në Kosovë e përdorin qymyrin për ngrohje të hapësirave të punës apo në teknologjinë e prodhimit. Zakonisht këto biznese qymyrin e kanë blerë nga ndërmarrja “Kosova Thëngjilli”, e cila funksionin si shoqëri aksionare. Kjo ndërmarrje e ka blerë qymyrin nga KEK-u, e ka përpunuar atë dhe ua ka shitur bizneseve ose e ka eksportuar”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Sipas tij vitin e kaluar Kosova ka importuar së paku 6 milionë euro qymyr. Ai ka pyetur se “për kur po e ruajmë qymyrin?” e “çfarë strategjie është kjo?”
“Pse duhet bizneset të blejnë qymyr tri herë më shtrenjtë nga Serbia e nga vendet e tjera? Pse të mos eksportohet qymyri kur tani ka kërkesë nga disa vende për shkak të krizës energjetike?”, ka shkruar Hoti në Facebook./21Media