Kryeministri Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, sot priti drejtuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Verërave në Kosovë “Enologjia”, me të cilët diskutoi për gjendjen në këtë sektor, si dhe rolin mbështetës të institucioneve, kryesisht përballë situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Me këtë rast, siç informoi zyra e kryeministrit, Hoti shprehu përkushtimin e Qeverisë për të qenë afër këtij sektori dhe të tjerëve, me qëllim të arritjes së normalitetit ekonomik, ku theks të veçantë i dha dyfishimit të subvencioneve, si: nga 4 centë për litër të prodhuar të verës në 8 centë dhe nga 1 mijë euro për hektar në vreshtari në dy 2 mijë euro.

“Tani më i kemi aktive gjashtëdhjetë milionë euro (60,000,000 €) në funksion të rimëkëmbjes ekonomike, më konkretisht për subvencionim të bizneseve, të cilat do të shpërndahen deri në fund të vitit, ndërsa për sektorin e bujqësisë i kemi dyfishuar subvencionet”, tha ndër të tjera Hoti.

Ndërsa, drejtuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Verërave në Kosovë “Enologjia”, e vlerësuan lart rolin mbështetës të kryeministrit Hoti, që për qëllim parësor ka arritjen e normaliteti ekonomik./21Media