Hoti i reagon Kurtit: Kur bashkëpunonim me SHBA njohjet vinin direkt nga Shtëpia e Bardhë

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit aktual, Albin Kurti se SHBA nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën, e as ai SHBA-në.
Sipas Hotit kur Kosova bashkëpunonte me partnerët ndërkombëtarë, njohjet vinin direkt nga Shtëpia e Bardhë,.
“Si erdhi puna që të gëzohemi vetëm se nuk ka çnjohje të Kosovës?!Kur bashkëpunonim me partnerët na vinin njohjet direkt nga Shtëpia e Bardhë. Tani po iu tregojmë atyre se jemi sovran, dhe po e ushtrojmë sovranitetin edhe në veri. Vendimet po i marrim vetë si shtet sovran që jemi, por njohjet nuk po vijnë. Çudi!”, ka shkruar Hoti.
Ndaj deklaratës së Kurtit ka reaguar edhe lideri i AAK-së, Ramush Hardinaj. Ai ka thënë e Haradinaj ka thënë se ShBA nuk ka kërkuar asnjëherë një gjë të tillë.
“Cila është logjika e kryeministrit kur thotë se SHBA nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën, kur nuk mbahet mend që Amerika ta ketë kërkuar një gjë të tillë! (Pse nuk i kishte shkuar ndërmend Albin Kurtit të thoshte në vitin 1999 se Amerika nuk mund ta çlirojë Kosovën)!”, është shprehur Haradinaj.
Sipas Haradinajt, kryeministri Kurti mundohet ta krijojë përshtypjen se ai mund të jetë viktimë e një “komploti ndërkombëtar”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se ai nuk mud ta përfaqësojë Amerikën por sipas tij as përfaqësuesit e Amerikës nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën.
“Jemi vazhdimisht në kontakt e në komunikim dhe pothuajse gjithmonë pajtohemi, por jo gjithmonë, sepse unë nuk mund t’i përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadori amerikan dhe as sekretari i shtetit apo departamenti i shtetit nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën. Ne udhëhiqemi nga idealet amerikane, mirëpo kjo është Kosovë dhe ne duhet ta mbrojmë shtetin tonë, popullin tonë, historinë tonë edhe më shumë sesa që e bën këtë kushdo tjetër. Pra, ne nuk mund të presim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbrojnë Kosovën në diskurs edhe më shumë sesa vet ne, përkundrazi ne duhet që për Kosovën të kërkojmë edhe më shumë sesa kushdo tjetër, edhe më shumë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”, është deklaruar Kurti./21Media

Back to top button