Nga luajtja në “San Siro” e deri në ligën e rajoneve veriperëndimore të Anglisë brenda dy vitesh

Nga të gjithë lojtarët që do të luajnë në raundin e tretë të FA Cup këtë vikend, shumë pak do të kenë përjetuar një aventurë plot ngjarje si ajo që e çoi Jesurun Uchegbulam në Chesterfield.
I lindur në Nigeri, Uchegbulam kaloi vite të shumta te akademia e Milanit dhe e përjetoi lojën në “San Siro”, në njërin nga stadiumet ikonë të botës së futbollit.
Kur familja e tij u shpërngul në Angli, provat e sulmuesit të krahut te Evertoni përfunduan shpejtë për shkak të një problemi shëndetësorë, që rezultoi me operim në zemër në moshën 16 vjeçare.
“Ata gjetën një cist duke u rritur në zemrën time dhe unë kisha presion të lartë të gjakut”, tha Uchegbulam, i cili mbushi vetëm 22 vjeç të dielën.
“Ata duhej të më operonin dhe të fusnin një tub. Më thanë nëse nuk e bëja, atëherë mund të kisha kolaps ose edhe më keq”, shtoi më tej nigeriani.
Disa muaj pas operimit, i etur për të luajtur përsëri pas rikuperimit, ai iu bashkua Stockport Town në ligën e 10 të futbollit anglez.
Që nga ajo kohë, Uchegbulam ka kaluar nga luajtja në “San Siro” në ligat rajonale veriperëndimore të Anglisë brenda një periudhe prej dy vitesh.
Pasi iu bashkua skuadrës së Chesterfield verën e kaluar, pas aventurave te Mossley dhe Matlock Town, ai shpreson ta ndihmojë Chesterfieldin që ta eliminojë West Bromin, i cili pozicionohet tre liga më lartë, këtë vikend në FA Cup.
“Gjithmonë i kam thënë vetes që të ngrihem dhe të vazhdoj sa herë që kam pasur pengesa. Chesterfield është kontrata ime e parë profesionale. Është një ëndërr nga e cila ende nuk jam zgjuar”, tha Uchegbulam.
Uchegbulam është përdorur kryesisht si një zëvendësues në sezonin e tij të parë në Chesterfield, pasi ai përshtatet me lojën me kohë të plotë.
Ai e ka vendosur shpejt veten si një i preferuar i tifozëve pas disa paraqitjeve mbresëlënëse nga banka rezervë, të cilat përfshijnë golin e barazimit në minutën e 88’ kundër Yeovil më 17 shtator.

Back to top button