Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit hap i madh drejt njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së Qeverisë, në një konferencë me gazetarë, ka njoftuar për vizitat zyrtare që ka zhvilluar në Uashington dhe në Bruksel. Fillimisht, kryeministri Hoti tha se tashmë është bërë publike në faqe të Kryeministrisë marrëveshja e arritur në Uashington, e cila është hap tepër i madh, hap i jashtëzakonshëm drejt marrëveshjes finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, që nënkupton njohje reciproke në mes të dy vendeve.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, ka falënderuar Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për vëmendjen e jashtëzakonshme që kanë për rajonin dhe për Kosovën dhe për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve në Ballkanin Perëndimor.

“Marrëveshja që është arritur i ka dy elemente kryesore: e para është pjesa ekonomike për të cilën kemi negociuar një kohë, ku përfshihen projekte infrastrukturore siç është autostrada Prishtinë-Merdar, hekurudha Prishtinë-Merdar, fizibiliteti për hekurudhën që lidh Prishtinë me Detin Adriatik, mbështetje financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, investime në energjetikë përmes sjelljes së gazit në Prishtinë, ndërtimi i Termocentralit me gaz dhe rrejti shpërndarës i gazit në Kosovë”, tha kryeministri Hoti, duke theksuar se krejt këto janë projekte që do të mbështeten nga DFC dhe MCC, dy organizata të Qeverisë Amerikane, projekte këto që kalojnë mbi 1 miliard dollarë amerikan.

Po ashtu, kryeministri Hoti potencoi se është interes i madh i Shtëpisë së Bardhë që këto projekte të fillojnë së zbatuari  menjëherë.

“Unë besoj që për disa muaj ju do të shihni punët konkrete që lidhen me këto projekte”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se tashmë është angazhuar Zyra për Planifikim Strategjik dhe se besonte se në mbledhjen e ardhshme do të jetë në rend të ditës një plan i veprimit, ku specifikohen detyrat konkrete për ministritë përkatëse dhe agjencitë e ndryshme në tërë sektorin publik për zbatimin e kësaj marrëveshje.

 Shtylla e dytë e kësaj marrëveshje, sipas kryeministrit Hoti, është njohja nga Izraeli, të cilën ai e cilësoi si shumë të rëndësishme për shtetin e Kosovës.

“Çdo njohje është e rëndësishme, pa dyshim, por janë disa që janë vërtet të rëndësishme, për shkak të sinjalit që dërgojnë dhe kjo është njohja e parë në tri vjetët e fundit, që nënkupton se është thyer trendi negativ i njohjeve ndërkombëtare për shtetin e Kosovës”, tha kryeministri Hoti.

Më tej, kryeministri Hoti tha se kushdo që ka dyshime se kjo marrëveshje e cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës, ai beson se kjo pikë e marrëveshjes dhe njohja e arritur 22 minuta pas nënshkrimit të marrëveshjes në Zyrën Ovale, e nxjerr se e ka gabim, sepse, siç u shpreh ai, “me këtë marrëveshje fuqizohet sovranitet i shtetit të Kosovës”.

Po ashtu, kryeministri Hoti tha se ka pasur takime të rëndësishme në Uashington, duke veçuar takimin me Sekretarin e Shtetit Michael Pompeo, nga i cili ka marrë mbështetje të plotë si gjithmonë për orientimet dhe proceset euroatlantike të Kosovës. Kryeministri Hoti tha se Sekretarin Pompeo e ka informuar për procesin e dialogut që është duke ndodhur në Bruksel.

“Jo vetëm se ka koordinim të ngushtë në procesin e dialogut mes Uashingtonit dhe Brukselit, por ka koordinim të plotë në këtë proces dhe kjo neve na jep siguri që të ecim përpara në këtë proces, pa u hamendur fare duke ditur se ne do të shkojmë drejt një marrëveshje përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve për njohje reciproke dhe për stabilizim të plotë të regjionit dhe integrim të plotë euroatlantike”, tha kryeministri Hoti./21Media

Back to top button