Hoti merr nënshtetësinë e shqiptare

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka marrë nënshtetësinë e Shqipërisë.
Hoti së bashu me 22 të tjerë, kryesisht nga Kosova, janë betuar të hënën para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për besnikëri ndaj shtetit të Shqipërisë dhe respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë.
“Në këto 102 vjet si kryeqytet ne kemi pasur një eksperiencë të jashtëzakonshme – nisi si një qytezë e vogël, kurse sot është edhe kryeqyteti Evropian i Rinisë. Qyteti vjet u rrit me 32 mijë banorë, ose ndryshe 10 mijë apartamente dhe 10 mijë makina. Tirana është një qytet, i cili vetëm rritet dhe shërbimet ndaj qytetarëve kërkojnë standardet që kemi vendosur këto vite”, ka thënë Veliaj.
“Një pjesë e madhe e vëllezërve dhe motrave që bashkohen sot me shtetësinë e re, janë nga Kosova dhe kanë shumë të freskët plagën dhe gjithë tragjedinë e luftës. Rëndësia për të pasur qytete progresive, qytete me mendje të hapur, qytete ku ne gjejmë arsyet që na bashkojnë, jo të shikojmë dallimet që kemi me njëri-tjetrin, janë qytetet e të ardhmes! Ndaj, më vjen mirë që sot, 22 shtetas të rinj i bashkohen qytetit tonë, shtetit tonë, edhe misionit tonë për një Shqipëri që bën progres, edhe për një vend që modernizohet dita ditës”, theksoi Veliaj.
Pas leximit të formulës, 22 shtetasit nga Kosova, SHBA-të, Egjipti, Turqia dhe Siria, nënshkruan edhe aktin e betimit./21Media

Back to top button