Kaloni te përmbajtja kryesore

Hoti: Mosrespektimi i marrëveshjes së Uashingtonit për gazin amerikan, i kushtoi Kosovës miliona euro

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka deklaruar se marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, më 2020, parashihte ndërtimin e rrjetit dhe centralit energjetik me gaz amerikan.

Sipas Hotit, centrali me gaz do të ishte komplementar me termocentralet ekzistuese, teksa prodhimi i energjisë do të ishte më i madh.

“Por, kjo marrëveshje nuk u respektua nga Qeveria e Kosovës që mori detyrën në mars 2021. Për pasojë, sot Kosova importon qindra miliona euro energji elektrike në vit, me kontrata dhe kompani që kanë ngritur shumë dyshime në publik” deklaroi Hoti.

Ai thotë se mazhoranca aktuale, atë kohë e konsideronte marrëveshjen si të dëmshme për Kosovën.

Postimi i tij i plotë:

MBI PAVARËSINË ENERGJETIKE TË KOSOVËS

Marrëveshja e nënshkruar në këtë foto në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator 2020, parashihte ndërtimin e rrjetit dhe centralit energjetik me gaz amerikan. Centrali me gaz do të ishte komplementar me termocentralet ekzistuese, duke prodhuar energji sa herë që do të ishte e nevojshme për të kompensuar kërkesën shtesë për energji që nuk do të mund të prodhohej nga termocentralet e ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’. Ky projekt do ta bënte Kosovën të pavarur sa i përket energjisë së paku për dy dekada, gjatë të cilës kohë do të investohej në kapacitete të tjera energjetike: nga thëngjilli, nga burime të ripërtërishme dhe në projekte të përbashkëta hidroenergjetike me Shqipërinë.

Por, kjo marrëveshje nuk u respektua nga Qeveria e Kosovës që mori detyrën në mars 2021. Për pasojë, sot Kosova importon qindra miliona euro energji elektrike në vit, me kontrata dhe kompani që kanë ngritur shumë dyshime në publik.

Ndërkohë që kjo marrëveshje negociohej në Shtëpinë e Bardhë, në Prishtinë partia që sot është në pushtet dhe ata që atëherë i shkonin pas, protokolluan në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës rreth 10 kërkesa për interpelancë me Kryeministrin. Sipas tyre, kjo marrëveshje ishte e dëmshme për Kosovën. Këta i referoheshin kësaj zyreje, në të cilën ishin marrë vendime kapitale për lirinë që e gëzojmë sot dhe për shpalljen e pavarësisë, si Shtëpia e Verdhë.

Sot, pas 6 vitesh, secili e ka të qartë qëllimin e tyre: pamundësimi i pavarësisë energjetike të Kosovës.

Kushdo që i ka shërbyer këtij qëllimi në atë kohë, me apo vetëdije, duhet të ndjejë përgjegjësi publike. Një kërkim falje publike dhe e sinqertë është hapi i parë i lëvizjes në drejtimin e duhur.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button