Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka vizituar sot komunën e Vushtrrisë për t’u njoftuar nga afër me dëmet të cilat i kanë shkaktuar kësaj komune reshjet atmosferike të ditëve të fundit.

I shoqëruar nga zëvendëskryeministri në detyrë Driton Selmanaj dhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kryeministri Hoti ka vizituar urën mbi lumin Sitnica, afër Fabrikës së Llamarinës, për të parë nga afër dëmet që ka shkaktuar dalja nga shtrati e këtij lumi.

Me këtë rast ai ka paralajmëruar takimin që do ta zhvillojë nesër me kryetarët e të gjitha komunave për të diskutuar lidhur me dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe formimin e komisionit për vlerësimin e këtyre dëmeve.

Kryeministri Hoti edhe një herë ka përgëzuar FSK-në, Agjencinë e Emergjencave dhe Shtabet Lokale të cilat pandërprerë janë në terren në mbikëqyrje të situatës dhe ofrim të ndihmës për qytetarët dhe familjet e prekura nga vërshimet./21Media