Samedin Mehmeti emërohet Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës

 

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, e ka emëruar Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Samedin Mehmetin.

Ky vendim është marrë gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë në detyrë. Ai pas shkarkimit të Rashit Qalajt nga kjo pozitë, ishte ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës

Biografia e Mehmetit

Samedin Mehmeti u lind në Prishtinë në vitin 1972. Shkollimin fillor e ka përfunduar në vendlindje duke vazhduar me tej me 3 vite të shkollës së mesme te cilat i ka vijuar në shkollën e atëhershme të policisë në Vushtrri, ndërsa vitin e 4-të në Prishtinë. Studimet universitare i ka përfunduar me sukses të shkëlqyeshëm në Fakultetin Juridik në Prishtinë, ndërsa specializimin e pas-diplomimit dhe magjistraturën në Fakultetin e Shkencave të Kriminalistikës, në Universitetin e Sarajevës duke vazhduar me tej me Studimet e doktoratës në Universitetin Evropian të Tiranës. Temat e magjistraturës dhe doktoratës i ka mbrojtur në specifika të ndryshme, të ndërlidhura me fushën e terrorizmit.
Samedin Mehmeti ka një karrierë të gjatë dhe të begatshme në sektorin e sigurisë, përkatësisht në veprimtarinë policore, duke shërbyer në pozita të ndryshme, fillimisht si polic patrullues në stacionin policor” Veriu”, më pastaj si hetues i vrasjeve në regjionin e Prishtinës. Si mbikëqyrës, në nivelin taktik përkatësisht në gradën e Rreshterit policor ka shërbyer në pozitën e shefit të ndërrimit në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë. Në nivelin e menaxhimit operacional, me gradën Toger ka shërbyer në pozitën Zv. Komandant në stacionin policor ”Jugu” dhe me gradën Kapiten ka shërbyer Komandant i stacionit policor “Veriu” në Prishtinë. Pas avancimit, në nivelin strategjik në gradën Major, ka shërbyer fillimisht në pozitën Zëvendës Drejtor për Operativë dhe pastaj udhëheqës i njësisë për Tranzicionin e kompetencave policore nga UNMIK-u, në Policinë e Kosovës. Në gradën e Nënkolonelit ka shërbyer në pozitën e Drejtorit të Administratës në kuadër të Departamentit të Policisë Kufitare./21Media

Back to top button