Hoti: Nëse PAN-i nuk ka sukses do t’i ofrojmë vendit një Qeveri pro-evropiane

Hoti tha se LDK do të mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e parimeve të demokracisë

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-ALTERNATIVA, Avduallah Hoti, i komentoi rezulatet e zgjedhjeve si dhe qëndrimin e partisë së tij karshi koalicioneve dhe partnerëve.

Hoti përmes një shkrimi në Facebook tha se LDK do të mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e parimeve të demokracisë.

“Zgjedhjet e 11 qershorit kanë dhënë mesazh të qartë për të gjithë spektrin politik në Kosovë, përfshirë LDK-në. Ne po analizojmë rezultatet dhe do të reflektojmë karshi kësaj gjendje të krijuar.

LDK dhe partnerët e saj të koalicionit mbeten të përkushtuar për ruajtjen dhe forcimin e institucioneve të vendit. LDK, si parti e qendrës së djathtë dhe anëtare e vetme nga Kosova në Partinë Popullore Evropiane, dhe partnerët e saj të koalicionit mbeten të palëkundur në mbrojtjen e parimeve të demokracisë dhe lirive qytetare, të ekonomisë sociale së tregut, të sundimit të pa kompromis të rendit dhe ligjit, të promovimit të fqinjësisë së mirë dhe të orientimeve euro-atlantike të Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Hoti tutje e ftoi KQZ-në që të përmbyllë sa më shpejtë procesin zgjedhor.

“Këto janë vlera që na kanë udhëhequr në të kaluarën dhe do të në udhëheqin në të ardhmen në angazhimet tona në kuadër të institucioneve të Kosovës, në pozitë apo në opozitë.
Askush nuk do të ketë fuqi të lëvizë Kosovën nga këto orientime. Ne jemi garantuese për këtë, si partnerë të vetëm të miqve tanë evropianë dhe amerikanë. E ftoj KQZ-në që të jetë më efikase në përmbylljen e procesit zgjedhor, në mënyrë që të hapet rruga për krijimin e institucioneve. Lus të gjithë spektrin politik që të respektojë një etikë minimale të komunikimit, duke lënë anash konspiracionet dhe etiketimet. Normat kushtetuese për themelimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet janë të qarta. Të gjithë duhet t’i respektojmë ato norma. LDK dhe partnerët e koalicionit do t’i respektojnë, siç kanë bërë gjithmonë”, ka shtuar Hoti.

Hoti po ashtu u shpreh se nuk do të krijojnë asnjë bllokadë në krijimin e institucioneve të vendit.

“Do të respektojmë të drejtën e grupit më të madh parlamentar PAN me te cilin nuk hyjme ne koalicion, që për qartësim nuk është fitues i zgjedhjeve por vetëm grupi më i madh parlamentar, të provojë formimin e Qeverisë. Nëse nuk kanë sukses, koalicion jonë do të shfrytëzojë të drejtën kushtetuese për t’i ofruar vendit një Qeveri pro-evropiane dhe profesionale, që do të zbatojë programin që ju kemi ofruar qytetarëve të vendit gjatë fushatës zgjedhore. Koalicioni i udhëhequr nga LDK flet me një zë të vetëm dhe ka vetëm një adresë”, ka përfunduar Hoti shkrimin e tij./21Media

Back to top button