Hoti: Nuk kemi hyrë në lojëra që të sjellim vaksina të paçertifikuar nga vendet e Lindjes

 

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, tha se kritikat që i janë drejtuar Qeverisë në detyrë rreth mos-sigurimit të vaksinës anti-covid, janë të pabazuara. Ai tha se nuk kanë dashur të sjellin në Kosovë vaksina të paçertifikuara që vinë nga vendet e Lindjes. Në takimin me kryetarët e komunave të Kosovës, Hoti shtoi se së shpejti do të arrijnë vaksinat në Kosovë dhe do të fillojë imunizimi i grup moshave të caktuara.

Hoti ka mbajtur takim virtual me kryetarët e komunave dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, ku tha se është rregulluar furnizimi me oksigjen në spitale dhe klinika, duke shtuar se janë shumëfishuar testimet.

“Ministri ka punuar që sa kohë në sigurimin e vaksinës për të cilën kemi pasur pak kritika publike krejtësisht të pabazuara sepse ajo që ka ndodhur në regjion është vaksina që kanë ardh nga vendet e Lindjes, pa u përmend fare emrin, që nuk janë të certifikuara dhe nuk i kanë kryer të gjitha protokollet e nevojshme, ne nuk kemi hyrë në ato lojëra që të sigurojmë vaksinat vetëm sa për imazh publik, tash besoj për disa ditë vinë furnizimet e para me vaksina, është bërë strategjia e imunizimit”, tha ai.

Hoti shtoi se janë të njoftuar kryetarët e komunave rreth procedurave pas ardhjes së vaksinave dhe të njëjtat do të shpërndahen shpejtë, meqë sipas tij, janë identifikuar grupmoshat që do të imunizohen në fillim.

“Të mbajmë sistemin të mobilizuar përmes shtabeve të juaja lokale sepse në bazë të vlerësimeve që po bëjmë po duket që kemi pak një lëshim tek shtabet lokale në kuptim të mbikëqyrjes së personave që janë të infektuar për t’i mbajtur të izoluar dhe për t’u ofruar shërbimet e nevojshme”, tha ai.

Hoti tha se janë muajt e fundit të menaxhimit të pandemisë Covid-19.

Back to top button