Hoti-Qeverisë: Realizoni projektet që burojnë nga Marrëveshja e Washingtonit

 
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se ata që janë në Qeveri sot duhet të kërkojnë falje, që e kanë kritikuar Marrëveshjen e Washingtonit.
Hoti pas publikimit të raportit të fizibilitetit për Ujmanin, ka thënë se koha po e nxjerrë të vërtetën dhe po ashtu të gjitha mashtrimet elektorale.
“A e cenon sovranitetin e Kosovës studimi i fizibilitetit për liqenin e Ujmanit, i përgatitur nga mbrojtësi më i madh i sovranitetit të Kosovës (SHBA), që u publikua sot?! Ata që nuk lanë gjë pa thënë për këtë studim dhe për gjithë marrëveshjen e Washingtonit, të cilët sot janë disa në Qeveri e disa në opozitë, duhet së paku të kërkojnë falje. Iu pata thënë të mos nguten. Koha po nxjerrë në dritë të gjitha të vërtetat, si dhe të gjitha mashtrimet elektorale e politike”, ka shkruar ai.
Hoti ka theksuar se Qeveria duhet të kujdeset për realizimin e projekteve të tjera që burojnë nga Marrëveshja e Washingtonit.
“Projektet e hekurudhave dhe autostradave, energjisë së ripërtërishme, furnizimit me gaz, si dhe krijimin e mundësive për financim për bizneset private të Kosovës në tregje financiare të SHBA-së. Ndryshe nuk do ta kenë të gjatë, siç nuk e patën të gjatë as vitin e kaluar.
Administrata e Presidentit Biden e ka konfirmuar se do të vazhdojë të realizojë këtë marrëveshje, sepse eshtë në përputhje me interesat e përbashkëta të SHBA-së dhe Kosovës. Por, Kosova nuk po ndërmerr asnjë veprim konkret. Asgjë nuk është bërë që nga përmbyllja formale e njohjes nga Izraeli në fillim të shkurtit, të cilën njohje gjithashtu e kritikonin dhe nuk e besonin se do të formalizohet me vendosje të marrëdhënieve diplomatike”, ka thënë tutje Hoti
Shtetet e Bashkuara u kanë dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.
Në njoftimin e Ambasadës amerikane në Kosovë thuhet se raporti i Departamentit amerikan të Energjisë – Laboratori Kombëtar “Veriperëndimor i Paqësorit”, shënon përmbushjen e një nga angazhimeve të Marrëveshjes së Washingtonit të arritur më 4 shtator 2020.
Raporti propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore./21Media

Back to top button