Hoti takoi kryetarët e komunave, do të diskutohet për COVID-19 dhe për vitin e ri shkollor

 

Filloi takimi i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit me kryetarët e komunave të Kosovës, në të cilin takim do të diskutohet për mënyrën e fillimit të vitit të ri shkollor. Në këtë takim, do të diskutohet edhe për mbështetjen financiare për komunat për të menaxhuar me pandeminë COVID-19.

Kryeministri falënderoi kryetarët e Komunave për angazhimin dhe për punën gjatë kësaj kohe kur vendi po përballet me pandeminë.

Ai u shpreh se trendi i rasteve te reja ka filluar të bie, por që theksoi se numri i rasteve me fatalitet po vazhdon të jetë i lartë.

“Trendi i rasteve të reja ka filluar të bie, por kjo nuk është shenjë që ne i kemi dalë në krye dhe e kemi futur plotësisht në kontroll këtë pandemi, duke qenë se numri i rasteve me fatalitet fatkeqësisht po mbetet mjaftë i lartë dhe plot familje po humbin të dashurit e tyre. Jemi edhe para fillimit të vitit të ri shkollor, ministri i Arsimit me bashkëpunëtorët ë tij ka bërë një punë të mirë në studimin e përvojave të vendeve të ndryshme sa i përket fillimit të vitit të ri shkollor, duke pasur parasysh edhe shëndetin e nxënësve, të arsimtarëve në shkolla, po në të njëjtën kohë duke u siguruar që nuk mbetemi prapa sa i përket realizimit të plan-programit dhe të sigurimit të cilësisë në arsim”, tha ai.

Pas përfundimit të fjalës së kryeministrit, mediat nuk u lejuan të qëndrojnë në sallën ku po zhvillohet takimi.

Back to top button